SHBA është zotuar se do të “mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s” pasi raketat ruse raportohet se goditën anëtarin e aleancës, Poloninë, duke vrarë dy persona.
Zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder, nuk konfirmoi menjëherë nëse shpërthimet ishin rezultat i sulmeve raketore ruse, por tha se Departamenti i Mbrojtjes po shqyrton raportet, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Ne jemi të vetëdijshëm për raportimin e shtypit për këtë. Nuk kemi informacione në këtë moment për të vërtetuar ato raporte, por përsëri, ne po i marrim seriozisht dhe po i shqyrtojmë ato. Unë nuk dua të spekuloj apo të futem në hipoteza. Kur bëhet fjalë për angazhimet tona të sigurisë dhe Nenin 5, ne kemi qenë të qartë se do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, tha Ryder, duke iu referuar parimit të mbrojtjes kolektive të NATO-s.
Sulmet e raportuara që goditën fshatin lindor Przewodow të Polonisë vijnë pasi Ukraina po përballet me një sërë sulmesh raketore që kanë vënë në shënjestër infrastrukturën energjetike të vendit, duke lënë miliona njerëz pa energji elektrike. Disa sulme ruse goditën objektiva në pjesën perëndimore të vendit afër kufirit me Poloninë.
Menjëherë pas raporteve të shpërthimit, zëdhënësi i qeverisë polake, Piotr Muller, njoftoi se kryeministri Mateusz Morawiecki ka thirrur një takim urgjent të nivelit të lartë për të diskutuar këtë çështje.
Shtëpia e Bardhë, nga ana e saj, tha se po punon me qeverinë polake për të “mbledhur më shumë informacion” mbi shpërthimet dhe do të “përcaktojë se çfarë ka ndodhur dhe cilat do të jenë hapat e duhura të ardhshme”.
“Ne nuk mund të konfirmojmë raportet apo ndonjë nga detajet në këtë moment”, shkroi në twitter Adrienne Watson, zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Më herët, Associated Press citoi një zyrtar të lartë anonim të SHBA-së duke theksuar se raketat ruse kaluan në Poloninë anëtare të NATO-s, duke lënë të vdekur dy persona.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë mohoi kryerjen e ndonjë sulmi pranë kufirit midis Ukrainë-Poloni.
“Fragmentet e menjëhershme të publikuara nga mediat polake nga vendi i ngjarjes në fshatin Przewodow nuk kanë të bëjnë fare me armët ruse”, tha ministria ruse./FolDrejt/