Shtetet e Quint-it i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët e Kosovës të votojnë në referendumin e Serbisë për ndryshime kushtetuese.
Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë thënë se mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë të 16 janarit për ndryshimet kushtetuese si “një hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur transparencën dhe efektivitetin e institucioneve te shtetit të sundimit te ligjit”.
“Ne besojmë se këto reforma janë një hap përpara drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane dhe do të mbështesin procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE”.
Moslejimin nga ana e Qeverisë së Kosovës të mbledhjeve të fletëvotimeve nga OSBE, Quint thotë se e ka parë me keqardhje.
“Ne kemi inkurajuar të gjithë qytetarët e Serbisë që të marrin pjesë në referendum dhe besojmë se është e rëndësishme që votuesit me të drejtë vote të mund të votojnë në zgjedhje dhe referendume. Vërejmë me keqardhje se Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”.
Po ashtu, shtetet e Quint-it i kanë bërë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
“Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hape perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”.
Një deklaratë të ngjashme dje e bëri edhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, i cili tha se qytetarët duhet të ushtrojnë të drejtën për të votuar.
“Dje fola me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiqin për mbledhjen e votave në Kosovë për referendumin kushtetues në Serbi. Mbledhja e votave në të kaluarën është lehtësuar nga OSBE-ja. Qytetarët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar”.
Por, të kundërtën e ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në bisedën që pati me Borrell, duke thënë se një praktikë e tillë nuk ndiqet në asnjë shtet sovran dhe demokratik.
Ai ka thënë se serbët në Kosovë që kanë dy shtetësi mund ta shfrytëzojnë të drejtën e votës në me postë apo në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë.
“Mbajtja e referendumit të një shteti tjetër në territorin e një shteti sovran nuk është praktikë e pranueshme nga ndonjë vend demokratik”, ka thënë Kurti./kk