Nga 74 incidente të bombardimeve nga ushtria ruse, 64 incidente ndodhën nga armët e ndaluara sipas Marrëveshjes së Minskut të vitit 2015.
Ukraina mbrëmë vonë raportoi 74 incidente të bombardimeve nga ushtria ruse, shkruan AA.
Nga këto, 64 incidente ndodhën nga armët e ndaluara sipas Marrëveshjes së Minskut të vitit 2015, që synonte ndalimin e konfliktit midis separatistëve pro-rusë dhe Kievit në Ukrainën lindore.
Kushtet e marrëveshjeve përfshinin një armëpushim në rajon, shkëmbimin e të burgosurve dhe tërheqjen e grupeve pro-ruse, ndërsa Kievi zyrtar duhej të bënte një ndryshim kushtetues që do t’i jepte Donbasit status të veçantë.
Megjithatë, zbatimi i marrëveshjes është penguar nga akuzat e përsëritura për shkelje nga të dyja palët.
Territoret ukrainase që raportohet se kanë qenë shënjestër përfshinin Stanytsia Luhanska, Shastia, Novotoshkivske, Zolote, Popasna, Svitlodarsk, Pivdenne, Avdiivka, Pisky, Maryinka, Bohdanivka, Hranitne dhe Mariupol, transmeton Fol Drejt.
Tensionet janë rritur në mënyrë dramatike në Ukrainën lindore, me një numër në rritje të shkeljeve të armëpushimit, si dhe incidenteve të shumta të bombardimeve dhe evakuimit të civilëve nga rajonet separatiste pro-ruse të Donetskut dhe Luhanskut.
Vendet perëndimore kanë akuzuar Rusinë për grumbullimin e më shumë se 100.000 trupave pranë Ukrainës, duke shkaktuar frikën se ajo mund të planifikojë një ofensivë ushtarake kundër fqinjit të saj ish-sovjetik.
Moska ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo plan për të pushtuar Ukrainën dhe në vend të kësaj ka akuzuar vendet perëndimore për rrezikimin e sigurisë së Rusisë përmes zgjerimit të NATO-s drejt kufijve të saj./FolDrejt/