Japonia nisi hetimet ndaj një grupi fetar të diskutueshëm, Kisha e Unifikimit, në lidhje me vrasjen e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe.
Hetimi, i udhëhequr nga ministrja e Kulturës, Keiko Nagaoka, vjen pasi ish-kryeministri japonez Shinzo Abe u qëllua për vdekje në korrik nga një i afërm i një anëtari të Kishës së Unifikimit “i cili e kishte mëri dhe besonte se Abe ishte mbështetës i saj”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Kjo ka ngritur një sërë dyshimesh dhe pyetjesh në lidhje me marrëdhëniet midis Partisë Liberale Demokratike (LDP) në pushtet dhe grupit të diskutueshëm që çoi në rënien e mbështetjes të kabinetit të drejtuar nga kryeministri Fumio Kishida.
Kishida në adresimin e tij para Parlamentit të hënën tha se: “Qeveria e ka marrë seriozisht faktin që ka një numër të madh viktimash si dhe varfëri dhe familje të shkatërruara dhe atyre nuk u është ofruar ndihma e duhur”.
Hetimi vjen pasi qeveria “pranoi më shumë se 1.700 kërkesa konsultimi deri më 30 shtator përmes shërbimit të saj telefonik të hapur më 5 shtator”, tha Kishida, sipas Kyodo News.
Rreth gjysma e deputetëve të LDP-së pretendohet se janë të lidhur me grupin, tani i riemërtuar si Federata Familjare për Paqen dhe Bashkimin Botëror. Hetimi mund të çojë deri në humbjen e statusit të komunitetit fetar në vend.
Madje edhe nëse grupi, i themeluar në Korenë e Jugut në vitin 1954 dhe shpesh i etiketuar si kult, humbet statusin e tij si komunitet fetar, grupi megjithatë do të mund të operojë në Japoni.
Kisha e Unifikimit akuzohet se ka detyruar ndjekësit të japin donacione financiare për grupin, duke u angazhuar në dasma masive dhe “shitje shpirtërore”. Ndjekësit janë nën presion për të blerë kavanoza dhe sende të tjera “me çmime ekstreme duke përdorur kërcënime dhe duke përfshirë përmendjen e “karmës stërgjyshore”.
Nagaoka, e cila gjithashtu mban portofolet e arsimit, sportit, shkencës dhe teknologjisë, tha se ministria e saj “është e prirë të fillojë hetimet sa më shpejt të jetë e mundur”.
“Një panel ekspertësh për këtë çështje pritet të fillojë shqyrtimin e detajeve të hetimit që më 25 tetor”, tha ajo.
Një panel ekspertësh në Agjencinë e Çështjeve të Konsumatorit të Japonisë të hënën i kërkoi qeverisë “të ushtrojë autoritetin e saj për të hetuar organizatën”.
Sugjerimi erdhi pasi agjencia mori shumë “ankesa në lidhje me Kishën e Unifikimit që supozohet se kërkon donacione të mëdha nga ndjekësit e saj që i shtyjnë ata deri në pikën e shkatërrimit financiar” – një pretendim që vrasësi i Abe-s, Tetsuya Yamagami, e kishte bërë gjithashtu.
Yamagami, 41-vjeç, kishte thënë se familja e tij “u shkatërrua financiarisht pasi nëna e tij dha donacione të mëdha për kishën”./FolDrejt/