Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Mariya Zakharova, deklaroi se dënojnë sulmin në objektin ushtarak në Isfahan të Iranit.
Zakharova ka bërë një deklaratë me shkrim për sulmin në objektin ushtarak në Isfahan më 28 janar, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
“Ne dënojmë fuqimisht çdo veprim provokues që mund të çojë në një përshkallëzim të pakontrolluar të tensionit në një rajon jo të qetë. Veprime të tilla shkatërruese mund të kenë pasoja të paparashikuara për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme. Kjo duhet të kuptohet nga ata që organizuan lëvizjen e guximshme, mbështetësit e tyre dhe ata që mburren me të me shpresat e kota për të dobësuar Iranin”, tha Zakharova.
Ministria e Mbrojtjes e Iranit tha se disa dronë shënjestruan një kompleks ushtarak në Isfahan të shtunën vonë, por nuk pati viktima apo dëme të mëdha.
Një numër sulmesh sabotazhi kanë ndodhur në objektet ushtarake dhe centralet bërthamore në Iran vitet e fundit, kurse Teherani fajëson kryesisht rivalin e tij rajonal, Izraelin.
Autoritetet izraelite ende nuk kanë komentuar mbi sulmin e fundit.
Në një deklaratë të dielën, Ministria iraniane e Mbrojtjes tha se sistemet e mbrojtjes ajrore në kompleksin në Isfahan interceptuan një nga dronët, ndërsa dy të tjerë u kapën në kurthe mbrojtëse dhe shpërthyen./FolDrejt/