Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov, tha se këto ishin objekte thelbësore të furnizimit për ushtrinë ukrainase në qytetet Kharkiv dhe Mykolaiv në rajonin Donbas.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka njoftuar se forcat ruse mbrëmë goditën pesë depo të mëdha karburanti në Ukrainë me armë me precizitet të lartë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov, në një konferencë për media në Moskë tha se këto ishin objekte thelbësore të furnizimit për ushtrinë ukrainase në qytetet Kharkiv dhe Mykolaiv në rajonin Donbas.
“Forcat ruse gjithashtu goditën 24 objektiva të tjera ushtarake ukrainase, duke përfshirë një sistem të mbrojtjes ajrore Osa-AKM, pesë depo municionesh dhe 11 zona me prani të personelit ushtarak dhe pajisjeve”, tha Konashenkov.
Përveç kësaj, shtoi ai, sistemet ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan katër dronë.
“Në total, që nga fillimi i operacionit special ushtarak janë rrëzuar 125 avionë ukrainas, 93 helikopterë, 407 dronë, si dhe janë shkatërruar 227 sisteme të mbrojtjes ajrore, 1.981 tanke dhe mjete të tjera luftarake të blinduara, 215 raketahedhës, 854 artileri fushore dhe armë mortajash. Gjithashtu janë shkatërruar 1.882 njësi të automjeteve speciale ushtarake”, tha Konashenkov.
Lufta Rusi-Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar, ndërsa Bashkimi Evropian (BE), SHBA-ja dhe Britania e Madhe, ndër të tjera, vendosën sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.
Të paktën 1.480 civilë janë vrarë në Ukrainë dhe 2.195 janë plagosur, sipas vlerësimeve të OKB-së, megjithëse shifra e vërtetë dyshohet të jetë shumë më e lartë.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se më shumë se 4,24 milionë ukrainas kanë ikur në vende të tjera dhe miliona të tjerë të zhvendosur brenda vendit./FolDrejt/