Suedia do t’i sigurojë Ukrainës një paketë ndihme sigurie prej 720 milionë koronash suedeze (66 milionë dollarë).
“Lajm i mirë nga Skandinavia: Suedia njoftoi një paketë tjetër ndihme sigurie për Ukrainën me vlerë 720 milionë SEK. Sistemet e mbrojtjes ajrore, automjetet, pajisjet dimërore do të ndihmojnë ushtarët tanë dhe do të mbështesin luftën e Ukrainës. Faleminderit kryeministrit Ulf Kristersson dhe ministrit të Mbrojtjes Pal Jonsson dhe popullit suedez”, shkroi në Twitter ministri i mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Kryeministri suedez Ulf Kristersson njoftoi më herët se vendi i tij do t’i sigurojë Ukrainës paketën më të madhe të mbështetjes “deri më sot”, një total prej 3 miliardë koronash suedeze (280 milionë euro)
“Suedia po rrit ndjeshëm mbështetjen tonë për lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Sot ne njoftuam paketat më të mëdha suedeze të mbështetjes ushtarake dhe humanitare për Ukrainën deri më tani, duke përfshirë një sistem të mbrojtjes ajrore të bazuar në tokë”, shkroi Kristersson në Twitter.
Mbështetja vjen pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se Rusia lëshoi “rreth 100 raketa” të martën në të gjithë Ukrainën, kryesisht duke synuar infrastrukturën energjetike të vendit.
Zyrtarët ukrainas raportuan gjithashtu shpërthime në disa qytete, si Rivne, Lviv, Vinnytsia dhe Kovel.
Pjesë të Rivnes, qendra administrative e rajonit perëndimor Rivne, mbetën pa energji elektrike pas shpërthimeve në një vendndodhje kritike të infrastrukturës, tha kryebashkiaku Alexander Tretyak në Telegram.
Tri ndërtesa banimi u goditën në Kiev në të njëjtën ditë, duke vrarë një civil, tha kryetari i bashkisë./FolDrejt/