Presidenti Zelenskyy gjithashtu u kërkon trupave ruse të hedhin armët dhe të largohen.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i bëri thirrje BE-së për “aderimin e menjëhershëm” të Ukrainës në bllok, shkruan AA.
Zelenskyy theksoi se Ukraina meriton të jetë anëtare e BE-së, duke thënë se ai beson se kjo do të jetë e mundur.
“I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian për pranimin e menjëhershëm të Ukrainës sipas një procedure të re speciale”, tha Zelenskyy gjatë fjalimit të tij drejtuar kombit.
Ai gjithashtu u bëri thirrje ushtarëve rusë që sulmojnë vendin e tij që të hedhin armët dhe të shpëtojnë jetën e tyre.
“Hidhni armët dhe shkoni. Mos u besoni komandantëve tuaj, propaganduesve tuaj. Thjesht shpëtoni jetën tuaj”, tha Zelenskyy, transmeton Fol Drejt.
Presidenti shtoi se Ukraina do të lirojë të burgosurit me përvojë lufte për të luftuar në pikat e nxehta të luftës me Rusinë dhe në mënyrë që ata të mund të kompensojnë krimet e tyre.
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka hyrë në ditën e tij të pestë pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi ndërhyrjen ushtarake të enjten e kaluar, disa ditë pasi njohu dy enklavat e kontrolluara nga separatistët në Ukrainën lindore.
Ndërhyrja shkaktoi reagim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa BE, Britani e Madhe dhe SHBA zbatuan një sërë sanksionesh ekonomike kundër Kremlinit.
Rusia është izoluar më tej pasi kompanitë e saj ajrore u ndaluan të fluturojnë në hapësirën ajrore evropiane, si dhe në hapësirën ajrore kanadeze, kurse një numër i bankave të saj janë përjashtuar nga sistemi bankar ndërkombëtar SWIFT./FolDrejt/