Sipas CNN, Moska ka bërë të ditur se ka dëbuar nga vendi dy diplomatë finlandezë, transmeton Fol Drejt.
Tensionet diplomatike janë shtuar së fundmi pas shfaqjes së ambicies së Finlandës për t’u bërë pjesë e NATO-s.
Akti i dëbimit të diplomatëve në fjalë erdhi si kundërpërgjigje të vendimit të Helsinkit që dëboi dy diplomatë rusë në prill. Ministria e Jashtme ruse tha më 17 maj se ka thirrur ambasadorin finlandez në Rusi, Antti Helantera, për ta informuar atë për këtë vendim.
Më tutje u tha se arsye tjetër është edhe “kursi konfrontues i Finlandës karshi Rusisë”. Muajin e kaluar, Finlanda dëboi dy pjesëtarë të stafit të ambasadës ruse në Helsinki në përgjigje të agresionit rus kundër Ukrainës.
Shprehjen e ambicies së Finlandës për t’u bërë pjesë e NATOS, bashkë me Suedinë, e cila veç i ka bërë disa hapa konkret në këtë drejtim, Rusia e ka lexuar si një kërcënim të hapur ndaj saj./FolDrejt/