Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës, për çështjen e shtrenjtimit të energjisë elektrike.
“Kemi mbledhur 40 nënshkrime sepse ndaj besimin se shtrenjtimi i energjisë elektrike në formatin që është bërë është i papërballueshëm, i pa drejtë dhe diskriminues e dënues ndaj një grupi të caktuar shoqëror” – ka thënë Abdixhiku, transmeton Fol Drejt.
Sipas tij, qeveria e nisi me tre muaj vonesë nga vendet e Rajonit shqetësimin për krizë energjetike, dhe gjashtë muaj nga vendet evropiane:
“Institucionet e Kosovës, Qeveria në vazhdimësi e kishin mohuar se në Kosovë kishte krizë. Reagimi i vonshëm është rezultat i paaftësisë që ka sjell fillimisht reduktime dhe më pas rritje enorme të çmimeve. Tani mohimi i krizës natyrisht se shkakton dëm, dhe dëmi për kosovarët do të arrijë nga 150 milionë në 200, varësisht se sa i ftohtë është ky dimër.”
Ai ka thënë se për kostoja e shpenzimeve do të mbulohet nga buxheti, ndërsa pjesa tjetër nga konsumi familjar.
“Kriza globale domosdo ka shkaktuar nevojën e subvencionimeve, por çështja që duhet ngritur është shumë e thjesht, e para sikur të reagonit me kohë, a do të ishte kjo shumë më e vogël se është sot, kush duhet të paguajnë përgjegjësi për milionat e djegura dhe e dyta, tani që dëmi enorm është bërë, si duhet ta paguajmë dhe a mund ta paguajnë qytetarët tanë këtë dëm”.
Ai e ka krahasuar çmimin e energjisë, me vendet fqinje. Sipas tij, vendimi i ZRrE-së, duhet të refuzohet me çdo mjet.