Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në seancën e sotme të jashtëzakonshme ku po debatohet për shtrenjtimit e energjisë elektrike, ka thënë se për 20 vjet qytetarët e kanë paguar rrymën më së liri në Rajon dhe Evropë, por siç tha ai, sot iu kanë shkundur themelet.
Ai tha se Qeveria Kurti ka shpërfillur krizën për energjinë elektrike në kohën kur shtetet e Rajonit dhe Evropës filluan të merrnin masa.
“Kur vendet e Rajonit tonë dhe Evropës filluan të merrnin masa, Qeveria jonë qëndroi neglizhente. Këtë vit është paralajmëruar që do të ketë shumëfishim të çmimit dhe institucionet tona kanë qëndruar indiferent ndaj kësaj situate. Jemi këtu për paaftësinë e Qeverisë përball krizës sepse e ka shpërfillur këtë krizë, nuk po shkojmë më larg veçse tek shtetet e Rajonit. Qeveritë e vendeve në Rajon e kanë kuptuar sfidën që kishin përpara dhe patën nisur të merrnin masa”.
“Kryeministri Kurti për herë të pari foli për krizën kur filluan reduktimet, është dashur të ndalet rryma për t’u ndezur Qeveria jonë. Kur u dhez kryeministri, u dhez Ministria, KEDS-i e ZRrE. Kur hasën në reagime, Qeveria filloi të arsyetohet, na tha që është shumë e lirë prandaj duhet të shtrenjtohet për t’u bazuar në kosto reale. I njëjti kryeministri potenconte që rryma në Kosovë është shumë e shtrenjtë dhe ajo duhet të lirohet. Kur jemi të sigurimi i rrymës dhe largimi i reduktimeve tha që këtë diferencë dikush ta pagujë, por çështja është me çka”.
Tahiri mes tjerash tha se shtrenjtimi i rrymës është goditja më e madhe që mund t’i bëhet ekonomive familjare dhe qytetarëve të Kosovës.
“Kryeministër je duke i detyruar qytetarët të paguajnë kosto të padrejtë, por koston e paaftësisë tënde nuk e di kush do ta paguajë. shtrenjtimi është i papranueshëm, zgjidhjen e keni neglizhuar, zgjidhjen s’mund ta bëni në dëm dhe kurriz të qytetarëve. Që nga gushti kjo krizë na trokiti në derë dhe kryeministri vendos rekord, në janar i informon qytetarët që në shkurt kanë me pagu rrymë 100% më shtrenjtë. S’është është thjesht një shifër, në realitet kjo shifër përkthehet në para, të cilat sot i kanë vështirë t’i siguroj qytetarët. A duhet të hyjnë në kredi të mbulojnë koston e krizës? Kjo është thellim në mjerim që e ka vulën e Qeverisë së Albin Kurtit. Me qeverisjen tënde qytetarët do ta paguajnë rrymën më së shtrenjti në Evropë”, tha Tahiri, njofton Klankosova.tv.