Në një konferencë për media, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka deklaruar se do ta kundërshtojnë me çdo kusht shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike, sipas tij, nuk justifikohet.
“Gjendja është kaotike, edhe në pjesën sociale, edhe ekonomike, por edhe të shëndetit publik. Pandemia vë në sipërfaqe shumë probleme të caktuara, por këtë e ka rënduar edhe mos përgjegjësia e kësaj qeverie. Rritja enorme e çmimeve bazike në ushqim dhe gjëra të tjera elementare dhe tash tendenca e keqmenaxhimit dhe injorimit të situatave për krizën energjetike ku pasoja e rritjes së çmimeve do t’i bartin ekonomitë familjare, njerëzit e varfër. Duhet të jesh tepër injorant ose i padijshëm që vendit më të varfër në botë edhe në Evropë, të kesh rritje enorme pa ndonjë planifikim të energjisë elektrike”, ka thënë ai.
Për më shumë, Zemaj tha se LDK nuk do të mjaftohet me kaq. Në rast të shtrenjtimit, ajo do ta kundërshtojë me çdo kusht, qoftë edhe me protesta:
“Do të shohim edhe format tjera të parandalimit, siç mund të jetë edhe protesta” – tha ai./FolDrejt/