Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin janar të vitit 2019, viti bazë 2015=100.
“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.4% në janar 2019, krahasuar me muajin dhjetor 2018. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (2.1%); pemë (1.9%); perime (15.7%); duhan (1.6%); blerje e automjeteve (1.2%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.9 për qind në IHÇK”.
Ngritja u neutralizua sipas ASK-së, nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: veshje
“(-2.6%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (-4.4%); rënia e çmimit të naftës dhe benzinës, shërbimet për transport (-5.4%); rënia e çmimeve të biletave të transportit ajror, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.5) për qind në IHÇK”, thekson ASK, shkruan Telegrafi.
Shkalla vjetore e inflacionit e matur në muajin janar 2019 me muajin janar 2018 ishte 3.1%.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë për 3.1% në muajin janar 2019, krahasuar me muajin janar 2018. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (10.0%); mish (4.3%); qumësht, djath dhe vezë (5.8%); perime (27.2%); pije alkoolike (3.9%); duhan (3.5%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (5.1%); ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës, shërbimet hoteliere (1.7%); kujdes personal (2.3%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3.4 për qind në IHÇK”, ka njoftuar ASK-ja.
Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-11.8%); veshje (-2.5%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.3) për qind në IHÇK.