Shqyrtimi gjyqësor i paraparë të mbahej sot ndaj ish-shefit të Shërbimit Pronësor- Juridik në Klinë, Ymer Merlaku u shty në mungesë të mbrojtësit të angazhuar sipas detyrës zyrtare.
Lidhur me mungesën e tij avokati Gzim Baloku, kishte njoftuar verbalisht kryetaren e trupit gjykues Nushe Kuka-Mekaj se nuk mund të jetë prezent në këtë seancë për shkak se është i angazhuar në një rast tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa për këtë ishte njoftuar me kohë edhe Oda e Avokatëve të Kosovës, dega në Pejë, mirëpo deri pas orës së caktuar të seancës nuk kishte avokat të dërguar nga ana e tyre.
I akuzuari Merlaku nuk pranoi t’i caktohet avokat tjetër si mbrojtës i tij, duke deklaruar se avokati Baloku është i njoftuar me lëndën që nga fillimi dhe do vazhdoi të mbetet edhe më tej mbrojtës i tij.
Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës e njëjta u shty për 11 korrik 2023.
Ndryshe, sipas akuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 gusht 2022, i akuzuari Ymer Mërlaku ngarkohet se më 12 mars 2015, në Drejtorinë e Kadastrës, Gjeodezisë dhe Pronës në Klinë, në cilësinë e personit zyrtar, tejkalon kompetencat e tij me qëllim që t’i mundësojë personit tjetër përfitimin e dobisë pasurore.
Sipas aktakuzës, thuhet se në kohën dhe vendin e lartcekur, në cilësinë e shefit të Shërbimit Pronësoro-Juridik në Klinë, duke vepruar sipas kërkesës së parashtruesit Milovan Pashiq, nxjerr vendim nën nr. 11-950-41/2015, më 24 mars 2015, me të cilën miraton kërkesën e të njëjtit, duke ia njohur të drejtën e pronësisë, në Grobosh, ZK-Dollc, pronë kjo e regjistruar si pronë shoqërore, e që është nën administrimin e plotë të Agjencisë së Kosovës për Privatizim, duke i mundësuar kështu të lartcekurit të përfitojë pronësinë mbi atë ngastër kadastrale dhe njëherit, duke i shkaktuar dëm AKP-së.
Për këtë ai akuzohet se ka kryer vepër e penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, të ish-KPRK-së. /BetimipërDrejtësi/