Era e fortë dhe moti i keq detyruan autoritetet e Koresë së Jugut të shtyjnë transportin e raketës hapësinore “Nuri” në pikën e lançimit, ndërsa raketa ishte planifikuar të lançohej nesër.
Fillimisht ishte vendosur që “Nuri” të bënte përpjekjen e tij të dytë të nisjes në Qendrën Hapësinore “Naro” nga bregdeti jugor i vendit, tetë muaj pasi prova e parë në tetor përfundoi me sukses të pjesshëm, njoftoi agjencia e lajmeve Yonhap, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Erërat e forta po fryjnë në Qendrën Hapësinore Naro dhe ekziston mundësia që erërat të bëhen më të forta”, njoftuan nga Ministria e Shkencës.
Ministria tha se do të ishte e vështirë të garantohej siguria e punëtorëve në një mot kaq të keq.
Në raportim thuhet se tani, nisja pritet të bëhet të enjten pas konsultimit midis qeverisë dhe Institutit Korean të Kërkimeve Ajrore.
Në tetor të vitit të kaluar, Koreja e Jugut kreu nisjen e saj të parë indigjene në hapësirë të raketës 200-tonëshe “Nuri”, që fluturoi me sukses në një lartësi të synuar prej 700 kilometrash, por nuk arriti të vendoste një satelit të rremë në orbitë pasi motori i saj i fazës së tretë u dogj më herët se sa pritej.
Satelitët e rremë janë objekte të përmasave të njëjta me satelitët e vërtetë, duke i zëvendësuar ato për të kryer teste të këtilla të raketave./FolDrejt/