Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka konfirmuar se afati për lirimin e ndërtesës në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, e cila shfrytëzohet nga strukturat paralele të Serbisë, është shtyrë për dy javë.
Atiq, i cili këtë e konfirmoi për televizionin publik në Kosovë, tha se inspektorati komunal fillimisht kishte kërkuar që lirimi i këtij objekti të bëhej në një afat treditor, i cili do të skadonte sot, por më pas është marrë vendim që një gjë e tillë të shtyhet, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
“Po, është e vërtetë që është shtyrë afati për dy javë”, ka theksuar Atiq.
Më 22 gusht, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut, një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, i dorëzuan nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta lirojnë një objekt komunal që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve dhe që aktualisht shfrytëzohet nga strukturat paralele të Serbisë.
Si shkak për këtë vendim nga Komuna e Mitrovicës Veriore përmenden “disa punime të parashikuara që komuna do t’i kryejë në objekte të caktuara komunale”.
Bashkimi Evropian e cilësoi këtë vendim të Komunës së Mitrovicës së Veriut në kundërshtim me përpjekjet për deeskalimin e situatës dhe uljen e tensioneve në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
Nëpërmjet një deklarate për media, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se “ne jemi të shqetësuar për implikimet në situatën e sigurisë nga vendimet e fundit të marra nga administrata e komunës së Mitrovicës Veriore për shfrytëzimin e hapësirave dhe ndërtesave publike dhe komunale, të cilat, ndër të tjera, kërkojnë nga subjektet e drejtuara nga Serbia të lirojnë objektet e tyre”./FolDrejt/