Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e cila ishte paraparë të mbahet sot, është shtyrë për ditën e nesërme.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një prononcim për mediat tha anëtarët e KQZ-së, kanë konsideruar se u duhen më shumë informata për pikat e rendit të ditës.
“Deri sa po planifikohej për operacione zgjedhore ku po trajtoheshin pikat e sotme, anëtarët e Kqz-se konsideruan qe duhet me shume informata me pikat e rendit te ditës”, tha ai.
Elezi u shpreh se planifikimet dhe përgatitjet për zgjedhjet komunale në katër komunat veriore janë duke u bërë në bazë të planit të dinamikës.
I pyetur se a është e vërtetë se ka qendra votimi që do të mbahen në stacione policore, Elezi nuk u përgjigj drejtpërdrejt, por vetëm tha se “do të miratohet lista me qendrat e votimit ku do të hapen”.
I pyetur po ashtu, se a ka siguri për t’i mbajtur zgjedhjet në veri, ai tha se KQZ-ja, është përgjegjëse vetëm për aspektet teknike.
“KQZ është institucion që ka për detyrë të përgatis një proces zgjedhor në aspektin teknik, certifikimi i kandidatëve, votimi jashtë vendit dhe aktivitete të ngjashme. Sa i takon KQZ-së, jemi duke i kryer detyrat ligjore kushtetuese”, ka thënë ai.
Zgjedhjet në katër komunat veriore do të mbahen më 23 prill të këtij viti, raporton RTV Dukagjini, përcjell Fol Drejt.