Nisja e raketës së re, novator të NASA -s drejt Hënës , si pjesë e misionit të shumëpritur Artemis 1 , nuk do të bëhet as këtë të martë , siç ishte paralajmëruar fillimisht, për shkak të kushteve të këqija të motit të parashikuara nga sinoptikanët.
Nën kërcënimin e stuhisë tropikale Ian, aktualisht në jug të Xhamajkës, NASA tha se do të përgatisë raketën dhe do ta transferojë atë në një vend të sigurtë në ndërtesën e montimit, shkruan protothema.gr, transmeton Fol Drejt.
Ian pritet të forcohet në një uragan në ditët në vijim dhe të shkojë përmes Gjirit të Meksikës drejt Floridës , ku ndodhet Qendra Hapësinore Kennedy.
Data e parë e lëshimit ishte 29 gushti, por ajo u shty për shkak të një çarje në motorin e raketës së fuqishme të zhvilluar nga SHBA.
Një datë e re u caktua për 2 shtator, por sërish një problem i rëndë teknik shtyu procesin, për shkak të një rrjedhjeje.
Hapat e ardhshëm të NASA-s
NASA planifikon të nisë në vitin 2024 misionin e drejtuar “Artemis 2” rreth hënës, dhe në vitin 2025 misionin “Artemis 3” për të arritur në Hënë dhe për të çuar në hënë astronautin e parë femër.
Këtë herë ndoshta do të hidhen themelet për një bazë hënore më të përhershme dhe praninë e astronautëve në satelitin e Tokës , me qëllimin përfundimtar të një “selie” në Planetin e Kuq në vitet 2030 .
Megjithatë, disa ekspertë nuk e përjashtojnë që i gjithë ky orar të jetë shumë “i shtrënguar” dhe ambicioz , ndaj mund të shtyhet.
Njerëzit e fundit që ecën në Hënë ishin dy astronautët meshkuj në misionin Apollo 17 në 1972, të ndjekur nga dhjetë astronautë të tjerë amerikanë gjatë pesë misioneve të mëparshme, me uljen e parë në Hënë nga misioni Apollo 11 në vitin 1969./FolDrejt/