Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në 14-vjetorin e pavarësisë së vendit, ka pranuar telegrame urimi nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, Mbreti i Holandës, Willem-Alexander R, presidenti i Bangladeshit, Abdul Hamid, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.
Erdogan, në telegramin e tij, shkruan “Lidhjet e forta historike, kulturore dhe humanitare ndërmjet Turqisë dhe Kosovës kontribuojnë si në zhvillimin e marrëdhënieve tona dypalëshe ashtu edhe në paqe dhe stabilitet të rajonit. Si Turqi, ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO dhe për marrjen e vendit që meriton në arenën ndërkombëtare”.
Në telegramin e urimit, presidenti Meta ka uruar autoritetet shtetërore dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Arritjet e shtetit të Kosovës në drejtim të demokracisë, zgjedhjeve të lira, funksionimit të institucioneve të pavarura dhe mirëqeverisjes, janë mbresëlënëse dhe një shembull pozitiv për t’u ndjekur”.
Ndërkaq, Mbreti i Holandës përmendi edhe sfidat nga pandemia.
“Ju uroj juve, qeverisë dhe popullit tuaj forcë, guxim dhe shëndet, përderisa të gjithë vazhdojmë angazhimet për tejkalimin e kësaj krize”, thuhet në telegram.
Derisa Hamid i Bangladeshit uroi për progres.
“Fuqimisht besoj se lidhjet ekzistuese të miqësisë mes dy vendeve tona do të forcohen edhe më tej në ditët në vijim. Në këtë rast të gëzueshëm, dëshiroj t’ju uroj shëndet të mirë, jetë të gjatë dhe gëzime e popullit vëllazëror të Kosovës paqe të vazhdueshme, progres e prosperitet”, thuhet në telegramin e presidentit Hamid.
Edhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dërguar telegram urimi, në të cilin thuhet: “Është kënaqësi për mua t’ju dërgoj Shkëlqesisë Suaj dhe popullit të respektuar të Kosovës urimet tona të sinqerta me rastin e Ditës suaj të Pavarësisë. Besoj se do t’i përcillni popullit tuaj pjesëmarrjen e popullit të Emirateve të Bashkuara Arabe në këtë rast të veçantë”.
Pahor u zotua se Sllovenia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj të reformave të nevojshme për t’iu bashkuar strukturave euroatlantike.
“Për të garantuar stabilitet, zhvillim dhe lëvizje përpara drejt integrimit euroatlantik, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal janë të një rëndësie jetike. Pres me padurim bisedimet dhe bashkëpunimin tonë të ardhshëm dypalësh në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni”.