Të paktën 151 persona rezultojnë të zhdukur ndërsa ekipet e shpëtimit përpiqen të arrijnë tek njerëzit e bllokuar nën rrënoja, shkruan Sky News, përcjell Fol Drejt.
Fëmijët e vrarë nga shembja e shkollave të tyre janë në mesin e 268 të vdekurve pas një tërmeti që shkatërroi një qytet në Indonezi.
Më shumë se 1,000 njerëz u plagosën dhe 58,000 u zhvendosën pas tërmetit me magnitudë 5.6 që goditi malet në Javan Perëndimore të hënën, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në qytetin e Cianjur dhe duke varrosur të paktën një fshat pas një rrëshqitje dheu.
Të paktën 151 persona mbeten të zhdukur, ndërsa autoritetet paralajmëruan se numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet më tej.
Rreth 22,000 shtëpi u dëmtuan.
Rrëshqitjet e dheut dhe terreni i ashpër po pengojnë përpjekjet e shpëtimit, tha Henri Alfiandi, kreu i Agjencisë Kombëtare të Kërkimit dhe Shpëtimit (Basarnas).
Eskavatorë, kamionë dhe pajisje të tjera të rënda u dërguan gjatë natës në qytetin më të goditur të Cianjur, në jug të Xhakartës.
Rrugët e bllokuara dhe urat e dëmtuara penguan shpëtimtarët të sillnin ekskavatorë dhe pajisje të rënda të nevojshme për të zhvendosur rrënojat e betonit në zonën rurale deri të martën.
Guvernatori i Java-s Perëndimore, Ridwan Kamil tha të hënën: “Shumica e atyre që vdiqën ishin fëmijë”.
Ai shtoi se shumë ishin nxënës të shkollave publike që kishin mbaruar mësimet e tyre të rregullta dhe po merrnin mësime shtesë në shkollat islame.
Tërmeti goditi rajonin Cianjur në provincën Java Perëndimore në një thellësi prej 6.2 miljesh, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA.
Njëzet e pesë goditje u regjistruan më pas në dy orë pas tërmetit, sipas agjencisë së motit dhe gjeofizikës BMKG.
Rreth 175,000 njerëz jetojnë në qytetin Cianjur, pjesë e një distrikti malor me të njëjtin emër me më shumë se 2.5 milionë banorë.
Indonezia shtrihet në të ashtuquajturën “Unaza e zjarrit e Paqësorit”, një zonë shumë aktive sizmike ku takohen pllaka të ndryshme në koren e tokës dhe krijojnë shumë nga tërmetet e botës.
Në shkurt, një tërmet me magnitudë 6.2 vrau të paktën 25 njerëz dhe plagosi më shumë se 460 në provincën e Sumatrës Perëndimore. Lëkundjet u ndjenë deri në Malajzi dhe Singapor.
Në janar 2021, të paktën 105 njerëz vdiqën dhe afro 6,500 u plagosën në provincën e Sulawesi-t Perëndimor pas një tërmeti të madh me magnitudë të ngjashme. /FolDrejt/