Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, për takimin që ka mbajtur me kryetaren e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilova, që sipas tij ishte i fshehur.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se ky veprim i Kurtit vjen për të mos ndodhur protesta e paralajmëruar nga PSD për vizitën e Trëndafilovës në Kosovë.
“Pas mesazhit të qartë që qytetarët ia dhanë Trëndafilovës, që n’Kosovë do ta presim veç me protesta, Kurti po përpiqet ta normalizojë atë. Takimi i fshehur larg publikut është përpjekje e dëshpëruar për legjitimim të kësaj vizite. E ka takuar sepse kjo gjykatë po ia mbanë gjallë narrativen për luftën”.
“Sot qytetarët e shumtë që ishin mobilizuar për protestë, e detyruan Gjykatën që të dorëzohet nga synimi i saj që të bëjë propagandë. Ndërsa Kurti, përkundër vullnetit qytetar, e paska ngushëlluar atë, duke i garantuar që Qeveria e tij ia njeh legjitmitetin dhe ia pranon vizitat e propagandën. Por shumë shpejt do t’i tregojmë edhe Kurtit edhe Gjykatës Speciale që qytetarët e dojnë dhe besojnë në luftën e vet çlirimtare”,ka shkruar Molliqaj.