Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, është shprehur përsëri se veprimi i qeverisë më 31 korrik për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë, sipas saj, ka qenë i pakoordinuar me aleatët e vendit.
Ajo, veprimet e së dielës i quajti të paplanifikuara, të papërgjegjshme dhe siç tha ajo, aleatët e Kosovës me kohë e kanë kërkuar shtyrjen e përkohshme të implementimit të masës së reciprocitetit për karta identiteti e targa të veturave.
“Shefja e grupit parlamentar të VV-së e din shumë mirë si duket një veprim i koordinuar me partnerët. Kur koordinohesh dhe planifikon nuk zmbrapsesh nga huliganët dhe grupet kriminale. Kur koordinohesh shkon deri në fund e nuk ndalesh”.
“Pse a ka mëndu Kryeministri që kanë me e pritë me lule grupet kriminale në veri a? Ajo që pamë të dielën ishte një shfaqje kaotike, që prodhoi huti, ankth e pasiguri”, ka shkruar Çitaku, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ajo tha se ata [PDK] nuk janë opozitë rrënuese, për dallim sipas saj, nga VV-ja e cila siç tha ajo, nuk e ka votuar as MSA-në me BE-në.
“Shyqyr që erdhi Ambasadori Amerikan 5 në 12 e ju nxori me fytyrë juve edhe vendin. Shyqyr që e keni dëgju edhe ju. Hajt tash se nuk jeni tu e ba namin. Kryne naj punë”, ka shkruar Çitaku, transmeton Klankosova.tv.