Në Real Madrid po mendojnë seriozisht për pasardhësin e futbollistit më të mirë në botë aktualisht, Karim Benzemas (35-vjeçar), dhe nuk është sekret që duan të sjellin Erling Haalandin në Santiago Bernabeu.
Ata planifikonin të nënshkruanin me norvegjezin, i cili ishte në formë të mirë këtë sezon me fanellën e Manchester Cityt, në verën e vitit 2024, por pyetja është nëse mund të presin deri atëherë pa një sulmues të tillë.
Për këtë arsye ata iu drejtuan një objektivi të ri dhe sipas pretendimeve të mediave spanjolle, tashmë është hedhur hapi i parë konkret drejt transferimit të Victor Osimhenit.
Sulmuesi nigerian luajti në një formë të mirë këtë sezon pasi shënoi 28 gola për Napolin në të gjitha garat dhe vlera e tij në treg pothuajse është dyfishuar në krahasim me një vit më parë.
Njerëzit e parë të Realit dyshohet se kanë kontaktuar tashmë me Osimhen dhe janë takuar me përfaqësuesit e tij.
Nigeriani do të jetë një lojtar i shtrenjtë në tregun e futbollit këtë verë që vjen, ku Manchester United dhe Chelsea janë gjithashtu në garë për të, kështu që Reali do të duhet të veprojë shpejt.
Supozohet se Napoli do të kërkojë nga 100 deri në 140 milionë euro për të, që është ende një çmim dukshëm më i ulët në krahasim me shumën që Reali do të duhej të shpenzonte për Haalandin, transmeton Fol Drejt.