Gjatë pushtimit osman shumica e shqiptarëve të shkolluar në Lindje dhe Perëndim do shkruanin në gjuhë të huaj veprat e tyre dhe shumë pak në gjuhën amtare të tyre. Do fillonte një zhvillim i madh i gjuhës shqipe në shekullin e 19-të, por përsëri brenda disa qarqeve patriotike, derisa populli do e mësonte atë si shkruhej e lexohej vetëm në gjysmën e parë të shekullit 20-të. Natyrisht që kjo duhej të ndodhte pas Kongresit të Manastirit 1908 dhe pas hapjes së shkollave të gjuhës shqipe në të gjithë trevat ku flitet ajo gjuhë.
Pas zhvillimit të gjuhës në aspektin frazeologjik dhe terminologjik, do ishte vetë kërkesa e Myftiut të parë të shtetit shqiptar, Haxhi Vehbi Dibra, që do kërkonte që shkresat në të ardhmen të shkruheshin vetëm shqip dhe jo turqisht.
Katër urdhrat e Vehbi Dibrës
“Si për çështjet e sheriatit e të tjera, me qenë se korrespondenca do të bahet në gjuhën kombëtare, Gjyqi i Naltë i Sheriatit e shef të nevojshme që edhe gjyqtarët e zyrave të kadi myftiut e të naibave të dinë me këndue e me shkrue mirë gjuhën shqipe. Prandaj u bajmë me ditë se që nga data e këtij urdhëri, çdo nëpunës sheri ka me qenë i detyruem për mësimin e gjuhës amtare si me shkrim, ashtu dhe me këndim. Të gjithë nëpunsit do t’i nënshtrohen provimit të gjuhës që do të kontrollohet nga inspektimi…,” do shkruante Haxhi Vehbi Dibra në 1921. [1]
“Jeni të porositun nga ana e këtij gjyqi se pas sodi të mos përdorni fare vulat turqisht ndër aktet zyrtare e të mbaroni sa më parë një vulë me shqiponjë,” do vijonte në një urdhër të dytë Myftiu Vehbi.[2]
Kurse në një urdhër të mëparshëm, ai kërkon që edhe në lutje të mos përmendet më Sulltani, pasi Shqipëria është shteti i pavarur. Bëhet fjalë për 1917, ku në fakt vetë Turqia de fakto kishte marrë udhëheqjen e laikëve të Ataturkut, pavarësisht se Sulltani qëndronte si një figurë pa të drejta ekzekutive.
“Tue qenë se sot Shqipëria është një shtet më vete dhe nuk ka ndonjë të përpjekur shtetëror me qeverinë turke – nënvizonte ai, – të luturat të mos bëhen në gjuhën turke, por në shqip dhe sulltani të mos përmendet si mbret i vendit tonë”.[3]
Vlen të thekohet se Haxhi Vehbi Dibra vetë do monitoronte zbatimin e gjuhës shqipe nëpër institucionet fetare dhe do hidhte poshte gjithë shkresat e shkruara turqisht. Në një korrespondencë me Gjyqin e Tiranës, ai shkruante: “ Ngjitun u kthehet shkresa nr. 37, 21 shkurt 1922, dërguar Gjyqit të Naltë të Sheriatit, për shkak se është shkrue në gjuhën turqisht. Meqenëse korrespondenca duhet ba në shqipen zyrtare, jeni të porositun për të dytën herë që të mos i dërgoni këtij gjyqi shkresa të shkrueme në gjuhën turqisht, se nuk do të kryhet asnjë formalitet mbi ta”. [4]
Për të kuptuar largpamësinë e Haxhi Vehbi Dibrës, duhet të theksohet se po të lejonte “turqizimin” e gjuhës shqipe dhe të fesë islame në Shqipëri, atëherë po me këtë shembull, do duhej që pas një dekade edhe ezani të këndohej turqisht, ashtu siç bëri Ataturku dhe Ismet Inonu./Foldrejt.com
1 AQSh. Fondi 482, viti 1921, dosja 9, fleta 1.
2 Po aty, dosja 14 fleta 2.
3 Po aty, viti 1917, dosja 39, fleta 1.
4 AQSh. Fondi 482, viti 1922, dosje nr. 7 fleta 3.
Vërejtje: Për më tepër mund të shfletoni librin “Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri (1912 – 1967)” me autor Ali M. Basha.