Në muajin shkurt, administrata Biden urdhëroi një rishikim të zinxhirëve kritikë të furnizimit në SHBA, pasi izolimet për shkak të koronavirusit prishën shumë rrjete të rëndësishme prodhimi.
Ndeye Yacine Dieng ecën në gjurmët e paraardhëseve të saj… Ashtu si brezat e para të grave senegaleze, Dieng merret me përpunimin e peshkut të kapur nga burrat në komunitetin e saj.
Por kur erdhi pandemia, shumë burra e ndalën peshkimin. Kur gratë kishin sasi të mëdha peshku, ato nuk kishin blerës. Tregjet u mbyllën, kufijtë po ashtu.
Pandemia gjithashtu goditi edhe ata që punojnë në shëndetin global.
Gashaw Shiferaw është këshilltar i lartë teknik në një organizatë për menaxhimin e shëndetit. Organizata punon me qeveritë në më shumë se 40 vende, kryesisht me të ardhura të ulëta, për të siguruar zgjidhje të zinxhirit të furnizimit për programet e tyre shëndetësore. Suksesi, thotë ai, ka të bëjë me gjetjen e ilaçeve të duhura, në vendet e duhura.
Këto zinxhirë të furnizimit që duhet të jenë të fortë, u vunë në provë vitin e kaluar.
“Pandemia ishte një katastrofë. Ne kemi parë vitin e kaluar që kishte mungesë globale kudo, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Ky ishte një panik. Sistemi i rregullt i zinxhirit të furnizimit që ka funksionuar, tani duhet rimenduar.”
Zoti Shiferaw thotë se organizata e tij punoi me qeverinë e Filipineve për të krijuar një aplikacion për mbledhjen e të dhënave, që tregon numrin e burimeve dhe zonave në nevojë për të mbajtur në lëvizje zinxhirët e furnizimit.
Në fund të fundit, zoti Shiferaw thotë se ai është optimist që zinxhirët globalë të furnizimit në shëndetësi do të ecin përpara, me mbarimin e pandemisë.