Sanksionet e Perëndimit po kërcënojnë ta dërgojnë ekonominë ruse drejt kaosit. Efektet e sanksioneve do të ndjehen në të gjithë botën, nga Afrika e deri në Europë, në formën e inflacionit të lartë dhe mungesave të furnizimit me ushqime.
Ministri i Financave i Francës, Bruno Le Maire, ka thënë se Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur një “luftë ekonomike” kundër Rusisë, duke iu referuar sanksioneve të Perëndimit kundër Moskës, të cilat në fakt e kanë përjashtuar vendin nga tregjet financiare ndërkombëtare.
E ashtuquajtura “luftë ekonomike” ka bërë që Rusia të përballet me një rënie rekord të rublës kundrejt dollarit amerikan, duke rritur frikën te rusët për qëndrueshmërinë e sistemit bankar dhe duke bërë që shumë prej tyre të qëndrojnë në radhë të gjata nëpër ATM, me shpresën për të tërhequr para.
Megjithatë, nuk është vetëm Rusia ajo që po përballon pasojat e sanksioneve perëndimore, të vendosura si një përgjigje ndaj luftës së presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës. Sanksionet po dëmtojnë vende të ndryshme, që nga Egjipti e deri te Gjermania, të cilat varen shumë nga furnizimet me grurë dhe gaz natyror nga palët që po luftojnë.
Deutsche Welle ka analizuar pasojat që do të kenë sanksionet kundër Rusisë për njerëzit në vendet e tjera.
Rritja e ҫmimeve të energjisë
Çmimet e naftës dhe të gazit natyror u rritën ndjeshëm pas raundit të sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë që u ndërmorën gjatë fundjavës, teksa tregtarët po përgatiteshin për ndërprerje të furnizimeve nga Rusia – një nga eksportuesit më të mëdhenj të naftës dhe gazit në botë – dhe nga Ukraina – një vend i rëndësishëm tranziti për gazin rus.
Deri më tani, sanksionet nuk kanë shënjestruar në mënyrë të drejtpërdrejtë sektorin e energjisë, por tregtarët druhen se Moska mund të hakmerret duke kufizuar eksportet e naftës dhe të gazit, ndërsa sanksionet e Perëndimit mund të shkojnë deri aty sa të dëmtojnë drejtpërdrejt sektorin energjetik të Rusisë, një nga burimet kryesore financiare të vendit.
“Furnizimet me energji nga Rusia janë shumë të rrezikuara, për shkak se ato mund të ndërpriten nga ana e Rusisë dhe të përdoren si një armë për të kërcënuar Perëndimin, ose sepse mund të përjashtohen nga tregu për shkak të sanksioneve,” tha Louise Dickson, analiste e tregut të naftës në Rystad Energy.
Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se nxjerrja e bankave të mëdha ruse nga sistemi i pagesave SWIFT mund ta bëjë jashtëzakonisht të vështirë blerjen e naftës dhe të gazit rus. Raportohet se bankat europiane Societe Generale dhe Credit Suisse kanë ndaluar financimin e ҫdo malli që vjen nga Rusia.
Kjo situatë ka shqetësuar shumë njerëz në Europë, e cila përmbush më shumë se një të tretën e nevojave të saj për gaz dhe rreth një të katërtën e nevojave për naftë nga Rusia. Çdo ndërprerje në furnizimin me gaz mund të bëjë që europianët të mos kenë sasi të mjaftueshme gazi për të ngrohur shtëpitë e tyre, si dhe do të rriste ndjeshëm faturat e energjisë elektrike, pasi furnitorët e energjisë do të duhej të mbështeteshin te karburanti për të prodhuar energji.
“Deri më tani, duket se sanksionet nuk po targetojnë sektorin e energjisë dhe, për këtë arsye, pasojat janë më pak të rënda nga ҫ’mund të ishin. Mos e keqkuptoni këtë, pasi rreziku i përballjes me pasoja shumë më të rënda është i dukshëm,” tha analisti i Deutsche Bank, Jim Reid.
Rritja e çmimeve të ushqimeve
Kriza ka shtuar gjithashtu frikën për furnizimet me drithëra (grurë dhe misër) si dhe me farat vajore.
Rusia dhe Ukraina së bashku përbëjnë rreth 30% të eksporteve globale të grurit, gati një të pestën e volumit të tregtisë së misrit dhe rreth 80% të eksporteve të vajit të lulediellit. Të dyja këto vende janë furnizuesit kryesorë të grurit për Lindjen e Mesme dhe Europën. Turqia dhe Egjipti janë importuesit më të mëdhenj të grurit rus.
Ekspertët druhen se operacionet ushtarake ruse do të rrisin akoma më tepër çmimet e ushqimeve në vende të tilla si Libia, Jemeni dhe Libani, duke thelluar krizën e ushqimit në këto vende.
Konflikti ka filluar të bllokojë eksportet nga portet e Detit të Zi, të cilat përdoren për të transportuar drithëra për në Azi, Afrikë dhe Bashkimin Europian. Të hënën, Egjipti u detyrua të anulojë një tender për blerjen e grurit, pasi pati shumë pak oferta me çmime tepër të larta./Monitor/