Gjigandi i çelikut ArcelorMittal konfirmoi se kompania nuk do të rihapë fabrikën e saj në Bilbao të Spanjës siç ishte planifikuar këtë javë për shkak të çmimeve të larta të energjisë.
“Çmimi i energjisë është i lartë dhe tejkalon margjinat, kështu që ideja është të mos rifillojmë prodhimin sepse ndoshta do të humbnim para”, tha Borja Maestre, një zëdhënës nga uzina e ArcelorMittal në Sestao, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ky është vetëm njëri nga njoftimet që mund të çojë në humbjen e vendeve të punës dhe prodhimit të industrisë spanjolle.
Për herë të parë, prodhuesi i letrës Saica Group njoftoi se do të mbyllte tri nga katër fabrikat e tij në Spanjë “duke pasur parasysh se çmimi i gazit është rritur me 300 për qind në Spanjë në vetëm tetë muaj”.
Kompani të tjera që kohët e fundit kanë njoftuar pauza në prodhim ose mbylljen e fabrikave në Spanjë janë edhe Pamesa, Ferroglobe dhe Michelin, të cilat mund të çojnë në qindra largime nga puna.
Në gusht, çmimet e energjisë elektrike arritën një rekord të lartë në Spanjë, pavarësisht vendosjes së limiteve të çmimeve të gazit natyror që qeveria thotë se ulën koston me rreth 15 për qind.
Të enjten, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez njoftoi se qeveria së shpejti do të ulë taksat për faturat e gazit natyror nga 21 për qind në 5 për qind në tetor.
Edhe pse qeveria spanjolle ka përjashtuar çdo masë kursimi të energjisë këtë dimër për shkak të varësisë së ulët të vendit nga gazi rus, bizneset thonë se nuk mund të qëndrojnë konkurrues për shkak të çmimeve të larta rekord të energjisë.
Spanja ka miratuar tashmë dy paketa ekonomike për të lehtësuar goditjen financiare të inflacionit dhe luftës ruse në Ukrainë që kushtuan rreth 25 miliardë euro së bashku./FolDrejt/