Cili prej nesh nuk e njeh frikën? Është një ndjenjë që padyshim e kemi përjetuar në dritëhijet e saj dhe në lidhje me ngjarje apo gjëra të ndryshme.
Çdo individ ka thembrën e vet të Akilit, frikën e vet. Cilado qoftë ajo, nuk është asnjëherë shumë vonë për të ndryshuar sjelljen që kemi përkundrejt saj. Frika është një alarm që bie përballë rreziqeve nga të cilat duhet të largohemi apo të mbrohemi, apo përballë asaj që na duket e huaj, e panjohur. Por në pjesën më të madhe të rasteve, është frika nga frika ajo që na kushtëzon më së shumti, ose frika se mund të përjetojmë një kërcënim që në të kaluarën ka rrezikuar sigurinë tonë, reale apo simbolike qoftë ajo.
Për shembull, mendoni për rastet kur keni ndjerë panik. Ekziston një ndodhi e parë që përcakton një seri shqetësimesh psikofizike, me intensitet pak a shumë të lartë. Të gjitha rastet e tjera që pasojnë e na ndodhin më vonë, janë thjesht drojë, pra frikë për të ripërjetuar të njëjtat ndjenja dramatike dhe për të provuar të njëjtin siklet si më parë, me pak fjalë, kemi frikë nga frika (e parë).
Nga këndvështrimi psikik, edhe frika manifestohet nëpërmjet një ndjesie alarmi, ankth i fortë, dhe është mbi të gjitha trupi ai që reagon në mënyrë më intensive me shqetësime si: aritmi, frymëmarrje e shkurtër dhe e parregullt, ndjesi këputjeje, ose në rastet ekstreme, të dridhura, diarre, deri edhe në humbjen e ndjenjave.
Modifikimet trupore që aktivizohen kanë qëllimin ta bëjnë organizmin të largohet apo të mbrohet duke sulmuar. Ky mekanizëm “sulm-arratisje” është një reagim i lindur dhe instinktiv që aktivizohet përballë asaj që e konsiderojmë si kërcënuese.
CILAT FRIKËRA?
Frikërat mund të jenë të pafundme, duke qenë se të pafundme mund të jenë objektet apo situatat që duhet të përballojmë në jetën e çdo dite. E njëjta gjë që e bën një person të ndihet mirë, mund të terrorizojë një tjetër. Mendojmë për shembull për frikën nga e ardhmja. Bëhet fjalë për një frikë të papërcaktuar. Mund ta shpjegojmë si frika nga humbja e ndjenjës së sigurisë, frika se mos jeta dhe zakonet e krijuara me aq mund, do të shpërbëhen nga një ndodhi që është e pamundur të parashikohet, si një tërmet, dhe që ju lë papritmas pa gjërat që më parë ju jepnin mbrojtje dhe siguri.
Pra, frika është një ndjenjë krejtësisht subjektive, që lind thellësisht brenda vetes, nga mënyra se si përballemi me jetën.
FRIKA E KA NJË KUPTIM
Nëse, për një çast do t’ia dilnim të çlironim mendjen nga paragjykimet dhe ta vëzhgonim frikën nga një këndvështrim i ri, do të na hapej para nesh një skenar plot me kuptime. Pas një frike, sado e padëmshme apo e pakonceptueshme të jetë, fshihet një arsye se pse ajo ekziston: frika kryen një funksion të qartë që i ka rrënjët e origjinës së saj në historinë personale të secilit prej nesh, ose më mirë akoma në të pandërgjegjshmen tonë.
Por, në të njëjtën kohë, mund të guxojmë të themi se frika është një aleate e jona, në sensin që shërben për të qenë të qëndrueshëm ose na mban në një situatë ekuilibri psikofizik që në një moment të caktuar është gjëja më e mirë që mund t’i lejojmë vetes.
Ndaj frika është një mikeshë e besuar që na lajmëron nga rreziqet dhe na mbron nga situata të rrezikshme. Në këtë pikë është e nevojshme të pyesim: po si mund ta mposhtim frikën? Ose më mirë: si mund të mposhtim frikën nga frika?
Të dalim kryelartë nga një frikë nuk do të thotë ta fshijmë atë duke e injoruar dhe as të dorëzohemi të pafuqishëm përballë saj. Edhe të bëjmë sjellje të tipit “luftë e hapur” nuk sjell asnjë rezultat. Në vend të kësaj sjelljeje, padyshim është më mirë të përballemi me frikën në të njëjtën fushë, duke e afruar dhe duke e parë me më pak dyshim dhe me më shumë interes dhe kërshëri.
KUPTOJENI DHE NDRYSHOJENI FRIKËN
Nëse dëshironi me të vërtetë ta kaloni një frikë, cilado qoftë ajo, duhet paevitueshmërisht ta pranoni, njësoj si do të bënit me një shok të bezdisshëm, por shumë të domosdoshëm për ju. Pranimi është hapi i parë. Kjo do të thotë që si fillim duhet të pranoni se keni frikë, por edhe të mundoheni ta kuptoni, gjë që nuk nënkupton të mundoheni ta kuptoni me mendje, por në mënyrë racionale.
Ta kuptoni do të thotë t’i jepni frikës mundësinë të jetë, të ekzistojë. Thuajini vetes këto fjalë: “E ndjej këtë frikë dhe i bëj hapësirë brenda vetes. Kështu e lejoj të kryejë funksionin e saj, por njëkohësisht e njoh, për të kuptuar më mirë se kush jam.” Frika na tregon aspekte të vetes sonë, për të cilat shpesh nuk jemi të vetëdijshëm, shkruan Revista Psikologjia.
Është e vërtetë që frika na mbron nga përvoja edhe të pakëndshme, që kërcënojnë një ekuilibër, të cilin nuk jemi ende gati për ta larguar, por njëkohësisht frika gërryen rreth nesh një mur të padukshëm: më i madhi dhe më pushtuesi është muri i frikës. Sa më i lartë të jetë ky mur, aq më e ngushtë është hapësira e brendshme që komunikon me botën e jashtme. Me pak fjalë, frika është si një burg. Me ndihmën e një rrugëtimi të gjatë me psikoterapeutin është e mundur ta ndryshojmë këtë burg në një hapësirë pune, një vend të mbrojtur në të cilin, secili me ritmet e tij, mund të ndërtojë apo të forcojë ato aspekte të brishta, vulnerabël të vetes, të cilat nuk janë ende gati që të përballen me botën. Në këtë mënyrë, frika shndërrohet në një instrument të fuqishëm rritjeje dhe zhvillimi për çdo individ që ka për qëllim të vihet në lojë dhe të ndryshojë aspekte joharmonike të vetes.
Kur ia dalim mbanë ta hedhim pas krahëve frikën, do të thotë se jemi të hapur ndaj një vetëdijeje të re, që i kemi bërë tonat ato aspekte të vetes dhe të jetës, të cilat më parë nuk i pranonim, por i kundërshtonim me shumë forcë e energji./RevistaPsikologjia/