Në doni të ëmbëlsoni veten apo më të dashurit tuaj apo në doni një gosti të veçantë për miqtë përgatisni reçel me manaferra.
Është pikërisht sezoni i tyre dhe tregjet janë plot me manaferra vendi.
Të freskëta me shije delikate ato shndërrohen në një mrekulli të ëmbël teksa përgatiten në traditën më fantastike të amvisave shqiptare, atë të reçelit.
Më poshtë gjeni një recetë fantastike, krejt të lehtë të përgatitjes së reçelit me manaferra në shtëpi.
Jo vetëm që mund të ëmbëlsoni veten dhe këdo në familje me këtë ëmbëlsirë të mrekullueshme por sigurisht mund ta përdorni edhe si një dhuratë të këndshme për miqtë apo të afërmit tuaj.
Përgatitja e reçelit me manaferra
Përbërësit
1 kg manaferra
800 gr sheqer
Lëngu i shtrydhur i një kokrre limoni
Përgatitja
Si fillim pastrojmë manaferrat nga bishtat dhe i shpëlajmë me ujë të rrjedhshëm.
Më pas, i vendosim në një kullesë në mënyrë që t’u largohet uji.
Shtrojmë një shtresë me manaferra në tenxhere, një shtresë me sheqer, e kështu me radhë derisa masat e sheqerit dhe manaferrave të mbarojnë.
I lëmë të pushojnë përreth 6 orë në mënyrë që manaferrat të lëshojnë lëngun e tyre.
Më pas vendosni tenxheren në zjarr të ngadaltë. Gjatë përgatitjes së reçelit së manaferrave nuk duhet të hidhni ujë pasi manaferrat kanë lëngun e tyre.
Gjatë zierjes duhet të bëni kujdes që të largoni shkumën që do të krijohet në sipërfaqen e tenxheres.
Do ta zieni deri në 30 minuta apo edhe pak më shumë derisa lëngu i reçelit të trashet.
Pak para se ta heqim tenxheren nga zjarri shtojmë lëngun e limonit, e trazojmë me kujdes për pak sekonda dhe e largojmë nga zjarri.
E lëmë të ftohet dhe e vendosim në kavanoza të sterilizuar dhe i vendosim në frigorifer./AW/