Shkruan: Imer Topanica
Esenciale është mbjellja e dyshimit, pasigurisë, frikës, mosbesimit, me qëllim të akumulimit të pakënaqësisë. Shpërthimi i kësaj të fundit, duhet të jetë i planifikuar, në mënyrë që të mos ketë efekt. Nëse ka, gjithçka mund të përmbyset, e për rrjedhojë, të mos arrihet qëllimi.
Pakënaqësia e akumuluar, do t’i jap efektet në shoqëri. Nga gjiri i saj, domosdo do të dalin disa rebelë, që nuk shtrohen lehtë, ndërsa e kanë të qartë vizionin e tyre për një shtet të së drejtës. Prandaj kauza e tyre duhet të dështojë, ndryshe rrënimi i shpresës, si qëllim, mund të mos realizohet.
Në sektorët kryesor, është e domosdoshme të vishen me autoritet personalitete të komprometuara, si në rrafshin moral, ashtu edhe intelektual. Këtu nuk po e nënkuptoj vetëm shtetin legjislativ dhe atë ekzekutiv, por edhe atë gjyqësor, prokurorial. Sigurisht edhe segmentet e tjera, fjala vjen edhe sindikatat. Ky, është hapi i parë, në kuadër të krijimit të kontekstit të pasigurisë.
Duhet të glorifikohet veprimtaria e sharlatanëve, e të përqeshet ajo e profesionistëve dhe intelektualëve të mirëfilltë. Nëse nuk ka potencë të mjaftueshme për prodhimin e përqeshjes së veprimtarisë profesionale e intelektuale, mjafton të mos promovohet kjo e fundit, pra të heshtet.(Kuptohet, një shoqëri e shëndosh, mund t’i ketë një ose të shumtën dy intelektualë, ndërsa dhjetëra, apo qindra profesionistë – vërejtje kjo e domosdoshme për ata që i mprehin dhëmbët kur përmendet termi “intelektual/ë”).
Nuk mjafton ushtrimi i autoritetit për ta bindur masën që e keqja, është e drejtë, dhe e drejta është e keqe. Sot, në sistemet moderne të qeverisjes, media është mekanizëm qenësor në këtë skenar. Andaj, ideale është blerja e disa pseud0-gazetarëve (në rastin tonë – opinionistëve), dhe nëpërmjet tyre, të bëhet justifikimi i veprimeve të mbrapshte. Ju siguroj, gjithçka do të funksionojë brenda mega-planit.
Kështu, kur edhe qytetari bindet se të presësh në radhë, pa u orvatur të gjesh lidhje për të kryer punë në administratë, gjykatë, polici etj, është budallallëk!; kur po ky qytetar bindet se të provosh të integrohesh me nder në shoqëri, është, po ashtu humbje kohe!; kur po ky qytetar, bindet se prona publike, është për t’u zhvatur dhe jo ruajtur etj; dijeni që jeni në prag të realizimit të planit të mrekullueshëm: rrënimit të shpresave të një shoqërie për ditë më të mira.
Ndërsa realizohen objektivat, në shesh del edhe një tipar tjetër “pozitiv” i medias si mekanizëm. Fjala vjen, për t’i kontrolluar më lehtë masat, media prodhon artikuj argëtues, për konsum të gjerë, që ia mbajnë asaj (masës së gjerë), vëmendjen e fiksuar vazhdimisht. Nuk ka rëndësi vlera etike e estetike e artikujve, ka rëndësi vetëm sa fuqishëm e tërheqin vëmendjen e masës.
Këtë leksion e përvetësuan armiqtë e jashtëm, në të gjitha kontekstet e historisë politike. Masa e gjerë, sipas vizionit të tyre, e ka vetëm një të mirë: energjia e saj, thithet nga ushunjëzat politike e grupet e interesit që e udhëheqin këtë politikë, për shtatë palë qejfe.
Lexojeni Orwell-in, Chomsky-n dhe plot të tjerë, në rast se nuk më zini besë… mua, gjithsesi, do të më keni armik!