Libri dhe kultivimi i dashurisë ndaj tij duke e promovuar brenda një shoqërie, rëndom, rezulton të jetë kandari mbi të cilin sendërtohet dhe rëndon niveli kulturor e intelektual i asaj shoqërie, shkruan Fol Drejt.
Por, në çfarë mase peshoi libri në kandarin e shoqërisë kosovare vitin që lamë pas?
Nëpër linjën kronologjike 365-ditëshe të 2022-tës, përkushtimi ndaj librit në Kosovë u reflektua përmes promovimeve, akademive përkujtimore, takimeve letrare, panaireve, festivaleve poetike e seminareve shkencore.
Viti 2022 solli në duart e lexuesve vepra të reja, të një karakteri të ndryshëm tematik, që nga ai artistik, historik, shkencor, gjuhësor, e bashkë me veprat, emra të njohur autorësh vendorë e rajonalë u nxorën nga pluhuri i harresës, për të rikujtuar e për të promovuar vlerat eternale të punës krijuese të tyre.
Promovimi i romanit “Të lirë”, i autores Lea Ypi është ngjarja e parë që shtroi rrugën e komunikimit të lexuesit me librin për vitin 2022.
Ky roman, që u promovua më datën 5 të muajit janar, në kryeqytet, u dha mundësinë lexuesve ta kenë në duar jo vetëm librin, por edhe ta takojnë nga afër vetë shkrimtaren Ypi, e cila qe e pranishme në librarinë “Dukagjini”, ku edhe u bë promovimi.
Po në këtë muaj, këtë radhë në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, u promovua romani i kategorizuar nga studiuesit si historik e social “Rrënjët e kujtesës”, i autorit Ramiz Selimi.
Arbër Selmani, Imer Topanica e Ag Apolloni janë në mesin e emrave të njohur që sollën përpara lexuesit diversitet zhanresh e formash letrare. “48 piano” e autorit Selmani, e promovuar në qershor, u erdhi lexuesve në formën e poezive dhe prozave poetike; autori Topanica u prezantua para lexuesve këtë radhë me tregime, në përmbledhjen “Këpucët e vdekjes”, në fund të shtatorit, ndërsa autori Apolloni, solli në nëntor romanin “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”.
“Dhe unë jam njeri” e Lulëzim Krasniqit, “Njeriu i lartësive” i Gëzim Saraçit, “Në frontin e lirisë me UÇK-në” dhe “Hijet” të Lutfi Dervishit, “Marsi i acartë” i Melihate Tërmkollit, “Ma shkretnuen zemrën” e Lulash Palushajt, “Dora e Shpresës” e Lule Telakut, “100 vjet me Shqipërinë” e Llesh Kolës, “Qëndresa e retkocerëve” e Sadik Krasniqit, ishin disa në mesin e veprave që u promovuan gjatë vitit që lamë pas, duke shtruar para lexuesve horizonte të gjera nëpër fusha e problematika të ndryshme.
Po këtë vit, me 26 tetor 2022, përkthyesi dhe autori Qerim Ondozi promovoi fjalorin “Kosova brenda tridhjeteshtatë shkronjave”.
Megjithatë, nuk qenë vetëm këta dhe titujt e tjerë që iu ofruan lexuesit të Kosovës. Pas dy vitesh mungesë, në vitin 2022 u rikthye sërish “Panairi i Librit”. Kufizimet që nxori pandemia COVID-19 për dy vite radhazi, u fshinë me 7 qershor, kur stendat me rreth 100 botues nga Kosova e Shqipëria u rikthyen në Pallatin e Rinisë, për të qëndruar deri më 12 qershor. Gjatë këtyre pesë ditëve radhazi, lexues të moshave të ndryshme patën mundësinë të njihen me rreth 2000 tituj të rinj dhe t’i kompensojnë dy “vitet e humbura” të Panairit.
Panairi nuk mungoi as në stinën e vjeshtës, me ç’rast me 13 tetor, nën iniciativën e AAB-së, u organizua hapja zyrtare e Panairit vjeshtor të librit 2022, në hapësirat e kampusit të Prishtinës.
Krahas panairit, viti 2022 solli edhe ngjarjen e rëndësishme vjetore – Seminarin Ndërkombëtare për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që hapi zyrtarisht punimet me 15 gusht dhe zhvilloi punë aktive gjer më 26 gusht, duke sjellë për seminaristët një agjendë të ngjeshur përmes angazhimeve letrare e gjuhësore të pjesëmarrësve.
E vitin që lamë pas, nuk munguan as akademitë përkujtimore e takimet letrare.
Që në fillim të vitit, me datën 27 janar, Universiteti “Fehmi Agani”, organizoi ngjarjen për nder të Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit, të cilën ia kushtoi shkrimtarit, veprimtarit politik dhe laureatit të Çmimit Nobel për Paqe, Elie Wisel.
Dy muaj më vonë, në fillim të marsit, nën kujdesin e MASHT-it, u promovua autori grek Nikos Chrysos, përmes romanit të tij “Ditë e re”. Edhe një bashkëkombas i Chrysos, në dhjetor të vitit 2022 u promovua në Kosovë, me ç’rast nën udhëheqjen e profesorit dhe shkrimtarit Ag Apolloni, u mbajt një simpozium për shkrimtarin grek Nikos Kazantzakis, i pari në radhë, në të cilin pjesëmarrësit patën rastin ta njohin për së afërmi jetën dhe veprën e Kazantzakit.
Ndryshe prej Kazantzakit me të cilin u njohën vetëm me profesor Apollonin si ndërmjetës, në takimin e organizuar nga ETEA, me 24 shkurt të vitit të kaluar, pjesëmarrësit patën rastin të takohen me shkrimtarin Nazmi Rrahmani dhe të diskutojnë mbi letërsinë dhe epokën e Rilindjes.
Për të nderuar veprën krijuese dhe kontributin në letrat e kulturën shqipe, u nderuan emrat e Ali Podrimjes dhe Esad Mekulit; i pari, përmes një leximi të organizuar nga Ambasada Franceze dhe Kolegji AAB; e i dyti, përmes një takimi të organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, me rastin e ditëlindjes së Mekulit.
E nën organizimin e Lidhjes së Shkrimtarëve, u mbajt edhe takimi tradicional letrar për të shënuar Ditën Botërore të Poezisë.
E krahas të gjitha këtyre dhe tjerave kontribute për botën e artit e kulturës në Kosovë, letrat shqipe në vitin 2022 humbën një emër të vlerësuar nga studiuesit dhe kritikët shqiptarë. Me 22 qershor, ndërroi jetë shkrimtari shqiptar Xhevdet Bajraj, duke lënë pas vetes një mori krijimesh artistike.
E në nder të lartësimit të jetës dhe punës krijuese të Bajrajt, Hardh Fest, në shtator të këtij viti, brenda agjendës së vet kulturore, organizoi edhe orën letrare “Xhevdet Bajraj”, kushtuar shkrimtarit të ndjerë./FolDrejt/