“Moska nuk mund të përdorë 300 miliardë dollarë nga rezervat e saj me vlerë 640 miliardë dollarë”, tha ministri rus i Financave, Siluanov.
Rusia nuk ka qasje në rezervat e saj financiare me vlerë 300 miliardë dollarë për shkak të sanksioneve të Perëndimit për shkak të luftës kundër Ukrainës, deklaroi dje ministri rus i Financave, Anton Siluanov, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Rusia ka një total prej rreth 640 miliardë dollarë rezerva. Aktualisht, ne nuk mund të përdorim 300 miliardë dollarë të rezervave”, tha Siluanov në një intervistë për “Rossiya-1 TV”.
“Disa nga rezervat janë në Kinë dhe Perëndimi tani po i bën presion Kinës që të kufizojë qasjen tonë në këto rezerva”, tha Siluanov.
Ai shpreson se bashkëpunimi i Rusisë me Kinën do të rritet “në mënyrë eksponenciale”.
Që kur Rusia nisi luftën e saj kundër Ukrainës më 24 shkurt, më shumë se 2.5 milionë njerëz kanë ikur në vende të tjera, ndërsa rreth 2 milionë të tjerë të zhvendosur brenda Ukrainës.
Sipas OKB-së, të paktën 579 civilë janë vrarë dhe 1.002 janë plagosur në Ukrainë.
BE-ja, SHBA-ja dhe shumë vende të tjera kanë vendosur sanksione ndaj Moskës ndërsa shumë kompani dhe marka globale kanë pezulluar punën në Rusi./FolDrejt/