Kuvendi Komunal i Preshevës e ka shkarkuar sot Ardita Sinanin, nga pozita e kryetares së komunës.
Gjatë kësaj seance, përveç shkarkimit të Sinanit, kryetar i ri i komunës u zgjodh Shqiprim Arifi.
Lidhur me këtë ka reaguar Ardita Sinani përmes një postimi në Facebook, duke thënë që pushteti i ri në Preshevë sipas saj, është produkt i degradimit të politikës shqiptare në Luginë dhe se nevojiten zgjedhje të reja për ta ndërtuar një qeverisje legjitime.
“Dy humbësit e zgjedhjeve para pak ditësh, Shqiprim Arifi dhe Sami Salihu, kryen sot puçin e tyre nga lartë. Nuk përfillen as Shqipërinë dhe Kosovën. Populli nuk i deshi për deputet. U hakmorrën ndaj meje. Me gishta në Kuvend, pa vota të qytetarëve. Eliminuan politikisht Shaip Kamberin nga parlamenti dhe më rrëzuan mua nga Kryetarja e Komunës. Realizuan skenarin. Karriget i morrën, por eliminuan veten nga populli. Sikurse pushteti i tyre në Preshevë, Shqiprim Arifi dhe Sami Salihu, janë tashmë në anën e kundërt të popullit. Janë pakica ekstreme e tij. Siç u pa edhe sot, kur shumica dërmuese e përfaqësuesve politikë të Luginës ishin te Kryeministri i Kosovës, ndërsa ata dy të vetmuar dhe të izoluar, në errësirën e “bunkerit” të tyre puçist, në periferitë e Preshevës. Nga aty kaluan padinjiteshëm në administratën komunale”.
“Ky pushtet i ri në Preshevë është produkt i degradimit të politikës shqiptare në Luginë. Është pushtet i grabitur ditën nga marrëveshjet e fshehta të natës. Presheva ka nevojë urgjente për zgjedhje të reja për ta ndërtuar një qeverisje legjitime nga vota e popullit dhe jo nga pazaret e individëve vendorë dhe rajonal. Puçistët nga lartë e kanë tashmë makth të përditshëm përballjen me popullin, prandaj edhe do ta bëjnë të pamundurën me shty deri në ditën e fundit ballafaqimin me kutitë e votimit. Vazhdojmë bashkë. Mobilizohemi, organizohemi dhe angazhohemi”, tha ajo.