Sindikata e sektorit privat u ka dhënë ultimatum Komunës së Prishtinës, Qendrës Studentore si dhe Rektoratit të Universitetit të Prishtinës që t’i ngritin pagat, ose do të hyjnë në grevë. Në grevë mund të hyjnë edhe punëtorët e administratës, nëse institucionet e vendit nuk reflektojnë për shkeljen e parimit, pagë e njëjtë, për punë e përgatitje të njëjtë shkollore.
Ligji për Paga vazhdon të shkaktojë pakënaqësi te sektorët e ndryshëm, të cilët paralajmërojnë protesta ose greva. Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se u ka dhënë ultimatum tri institucioneve për t’ua rritur pagat tepër të ulëta të punëtorëve teknikë dhe të sigurimit.
“Ne u kemi dhënë ultimatum, është dhënë afat deri më 15 shkurt të rriten pagat në Qendrën Studentore. Deri më 20 shkurt për Komunën e Prishtinës për të gjithë punëtorët e sigurimit dhe të qendrave të mjekësisë familjare, me 25 shkurt është afati i fundit për rektoratin “Hasan Prishtina” që t’i përmbush kërkesat e punëtorëve teknikë dhe të punëtorëve të sigurimit”.
Azemi thotë se nëse kërkesat nuk përmbushen, në vend të protestave në mënyrë automatike mund të futen në grevë. Ai tha se e kanë njoftuar edhe kryeministrin Haradinaj për gjendjen e rëndë të punëtorëve, të cilët janë të detyruar të punojnë me një pagë prej vetëm 130 eurosh. Të pakënaqur shprehen edhe punëtorët e administratës.
Kryetari i Sindikatës, Mursel Zymberi, thotë se me Ligjin për Paga, është shkelur parimi që për punë e përgatitje të njëjtë shkollore, të paguhet njëjtë, për çka dallimet, sipas tij, aktualisht janë 300-500 euro.
“I njëjti profesion, i njëjti shkollim, e njëjta përgatitje profesionale në sektorin tonë është koeficienti 2.15, në sektorin tjetër del 3.2. i njëjti pozicion. E njëjta përgatitje shkollore ta zëmë në Kuvendin e Kosovës, me sektorë të tjerë në shërbimin civil, gjithashtu nga 3.2 bie në 1.95 ose as 2.15 nuk kalon.”
Ai tha se i kanë shkruar presidentit që mos ta dekretojë Ligjin për Paga. Po ashtu i kanë shkruar edhe ambasadorëve të vendeve të Kunitit. Nëse nuk ka reflektim, Murseli thotë se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, e nëse edhe Gjykata nuk ofron vendim të shpejtë, do të vendosin për protesta ose greva.