Kina ka akuzuar administratën e Washingtonit si përgjegjëse për krizën e përshkallëzuar me stërvitjet që ushtria e Kinës filloi përreth ishullit si shkak i vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi në Tajvan.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Hua Chunying në një konferencë për media dje në Pekin tha se “Ngjarjet dhe arsyet që kanë shkaktuar tensionin në Ngushticën e Tajvanit janë të qarta. SHBA-ja është pala që nxit dhe krijon pa arsye krizën”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Hua iu përgjigj kritikave të SHBA-së lidhur me stërvitjet e Kinës që kanë rrethuar ishullin. “Situata aktuale buron e gjitha nga sjellja e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Pelosi dhe e politikanëve të tjerë amerikanë. Retorika të tilla të sjellin në mendje historinë e ‘veshjeve të reja të mbretit‘. Ka ardhur koha që SHBA-ja t‘i japë fund qëndrimeve të saj arrogante, egoiste, hipokrite dhe dominuese”, tha ajo.
Sipas saj, çështja ka të bëjë me sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës. “Nëse një shtet ndahet nga SHBA-ja, nëse shpall që është i pavarur dhe nëse një vend i huaj i shet armë dhe jep mbështetje politike ndaj saj, a do ta lejonte qeveria dhe populli amerikan këtë?”, parashtroi pyetjen Hua.
Ajo theksoi se problemi i Tajvanit është çështje e brendshme e Kinës dhe nuk do të pranojmë ndërhyrjen e të huajve. “Bota nuk duhet të lejojë që SHBA-ja të vendosë veten e saj në pozicionin e ‘policit botëror‘ ose të ‘gjyqtarit ndërkombëtar‘ dhe t‘i trajtojë vendet e tjera si George Floyd, të cilat ajo mund t‘i shtypë dhe mbysë kur ajo dëshiron”, potencoi Hua.
Kreu i Departamentit të Komunikimeve Strategjike të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby në një deklaratë dje, i cilësoi stërvitjet si “‘veprime provokative‘. Duke vënë në dukje përshkallëzimin e përpjekjeve të gjata të Pekinit për të ndryshuar “status quo”-n në rajon, Kirby tha se “Nuk do të pranojmë një ‘status quo’ të re. Jo vetëm SHBA-ja, por edhe bota do ta refuzojë këtë përpjekje”./FolDrejt/