Angelo Michele Ristuccia, gjeneralmajor dhe komandant i KFOR-it, ka deklaruar se situata në veri të vendit mbetet e tensionuar dhe se mund të përshkallëzohet sërish, me lehtësi, shkruan Fol Drejt.
Ristuccia i cili është në përfundim të mandatit, gjatë një konference për media, tha se ngjarjet që kanë ndodhur në veri kanë kërkuar përpjekje të mëdha ushtarake dhe diplomatike për të rivendosur qetësi.
Sulmin terrorist të 24 shtatorit, ndërkaq e ka cilësuar si “të dhunshëm” ndaj autoriteteve të rendit:
“Gjatë gjithë këtij viti u bënë punë të palodhura dhe përpjekje të mëdha dhe u përballëm me shumë vështirësi; çështja e targave, dorëheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës, organizimi i zgjedhjeve komunale në veri të Kosovës, bllokimet e rrugëve,… sulmet krejtësisht të pajustifikuara kundër personelit të KFOR-it më 29 maj, ngjarjet e qershorit… dhe sulmi i fundit i dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator janë vetëm disa shembuj të kësaj” – ka thënë ai.
Sipas tij të gjitha këto ngjarje tregojnë se situata atje mbetet e paqëndrueshme dhe se shumë lehtë mund të përshkallëzohet. Sipas tij, kjo është arsyeja që prania e trupave atje, është shtuar./FolDrejt/