Tensione të reja kërcënojnë situatën politike në vend, pas braktisjes së institucioneve nga një pjesë e serbëve, shkruan Fol Drejt.
Megjithatë instanca të sigurisë, duke i përfshirë këtu edhe trupat e NATO-s, kanë thënë se janë të gatshëm të veprojnë, po qe se shfaqet nevoja.
Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, duke iu referuar situatës së krijuar, ka thënë se Beogradi dhe Prishtina duhet të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin e situatës.
Ai ka thënë se ka biseduar edhe me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak.
Ai po ashtu ka deklaruar se NATO dhe KFOR-i janë të gatshme për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti.
“Bisedova me përfaqësuesin special Miroslav Lajçak për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Si Beogradi ashtu edhe Prishtina duhet të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin. NATO dhe KFOR-i mbeten vigjilentë dhe të gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti”, ka shkruar Geona në rrjetin social Twitter.
Përfaqësuesit serbë në Kosovë kanë vendosur të shtunën e 5 nëntorit që të mos jenë më pjesë e institucioneve të këtij shteti. Kjo pasi ata nuk e mbështesin vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, në targat RKS – Republika e Kosovës.
Megjithatë, zyrtarisht, deputetët e Listës Serbe ende nuk i kanë dorëzuar mandatet në Kuvendin e Kosovës./FolDrejt/