Pas rreth shtatë orëve ka përfunduar debati parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi. Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për votimin e rezolutës së propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kryesuesja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci ka njoftuar se nuk ka kuorum për vendimmarje.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se qeveria e ka devijuar debatin në formën më të ulët të mundshme.
Kreu i deputetëve të kësaj partie tha se rezoluta është e përkthyer në dy pika.
“Rezolutën e kam përkthyer në dy pika dhe ato reflektojnë në pozicionin e kryeministrit që e tha për dialog dhe pozicionin e opozitës se si e shohim ne dialogun. Dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë në nivel politik dhe jo teknik, si dhe të udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës. Dialogu duhet të fokusohet në njohje të ndërsjellë dhe ulësen në OKB, që e tha kryeministri i Kosovës. Këto dy pika i qes në votim”, tha ai.
E vetmja pikë e rendit të ditës në seancën e sotme plenare ka qenë debati parlamentar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.