Ndonëse «Fjalori Enciklopedik», i cili parashihej të realizohej në kuadër të projektit: Enciklopedia e Kosovës, i miratuar në vitin 2011, nuk arriti ta shihte dritën e botimit deri në vitin 2018, karakterizohet nga shumë gabime e pasaktësi.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (AShAK), që është botuese e këtij fjalori, sipas studiuesit Shkëlzen Gashi, ka bërë një krim të dytë, kur bëhet fjalë për fragmentet që u kushtohen masakrave të kryera në Kosovë.
Gashi, nëpërmjet një artikulli të publikuar në Sbunker, ka vënë në pah lëshimet skandaloze me të cilat karakterizohet ky fjalor.
Masakrat e kryera gjatë luftës së fundit nga forcat militare e paramilitare serbo-jugosllave mbi popullsinë civile në Kosovë, veç që nuk janë pasqyruar në tërësi, shoqërohen edhe me një varg pasaktësish, e të dhënash elementare, shkruan Fol Drejt.
“Kur jemi te librat dhe monografitë, veç të tjerash, shqyrtoj edhe si paraqiten masakrat në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës në periudhën 1998-1999. Nga gjetjet e mia u shokova nga mënyra se si paraqiten këto masakra në një publikim të institucionit më të lartë të shkencës në Kosovë” – ka shkruar ndër të tjera Gashi.
Ribotimi dhe përkthimi i këtij fjalori, sipas Gashit, nuk do të duhet të ndodhte. Tërheqja nga libraritë, së këndejmi, është një akt i domosdoshëm.
Ndërkaq për AShAK-un ky fjalor është:
“Projekti më i madh dhe më i rëndësishëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, vepra e parë enciklopedike e botuar në Kosovë.”
Deri më tani, askush nuk e ka kontestuar vlerën e tij deri në masën sa të kërkohet të mos ribotohet, apo të mos përkthehet në gjuhët e tjera./FolDrejt/