Mohimi i të drejtës së shkollimit për vajzat me shamia, është shndërruar në dukuri në Kosovë. Së fundmi përjashtimi nga shkolla i një 13 vjeçareje shkollën “Asdreni” në Pejë, ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, por Drejtori i Arsimit Naser Gega thotë se, për këtë ka një bazë ligjore, ndërsa i referohet udhëzimit administrativ, shkruan Fol Drejt.
“Jam i informuar për rastin por nuk e di a ka vendim apo jo për largimin e nxënëses nga shkolla. Sidoqoftë unë nuk kam të drejtë ligjore me kërku nga shkollat që me i leju nxënësit me mbulesa. Udhëzimi administrativ 6/2014 i MASHTI neni 3 pika 1.13 thotë se nxënësit i ndalohet bartja e uniformës fetare, është e prerë”, ka thënë Gega për Telegrafin.
Gega konsideron se në këtë rast nuk bëhet fjalë për vullnet individual, por për një bazë ligjore, respektivisht interpretim dhe respektim të kësaj baze, e cila, sipas tij, bie ndesh me vendimin e vajzës. Ai ka njoftuar se është në kontakt me familjen, ndërsa shpreson që të zhvillojë biseda, siç ka thënë se nuk është pro idesë së përjashtimit të nxënësve nga shkollat.

“Nuk kam të drejtë ligjore të marr dhe t’i them drejtoreshës ta lejojë apo jo në shkollë” – ka theksuar Gega.
Ua kujtojmë që, qysh në vitin 2013 nga Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës (BIRK) qe lëshuar një interpretim sipas së cilit shamitë e grave, nuk bëjnë pjesë e uniformës fetare. Ajo, sipas, atëbotë, Kryeimamit të Kosovës, Sabri Bajgora, “është veshjeve personale e femrave që duan të respektojnë rregulluat islame për këtë çështje.”
Bajgora pat sqaruar se ato nuk bëjnë pjesë te çallmat në kokën e imamëve edhe veshja e tyre.
Përkundër këtij qëndrimi zyrtar të institucionit më të thirrur për ta interpretuar këtë çështje, ministrat e arsimit, nuk e kanë zgjidhur këtë problem. Qeveria aktuale e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, përkundër zotimeve gjatë fushatës zgjedhore, po refuzon ta shfuqizojë udhëzimin, duke iu lënë shteg rasteve të reja.
Vetë Albin Kurti, tashmë kryeministër i vendit, gjatë fushatave zgjedhore ende si opozitar që kërkonte besimin e qytetarëve, ripërtypte idenë se institucionet “nuk do të duhej ta kryenin punën e rrobaqepësisë”. Gjithsesi, edhe pas ardhjes së tij në pushtet, udhëzimi antikushtetues, nuk është shfuqizuar./FolDrejt/