Sot kemi mbajtur dëgjimin buxhetor lidhur me planifikimin e buxhetit komunal për vitin e ardhshëm 2021 si dhe për parashikimet për buxhetin e viteve 2022-2023.
Para të pranishmëve në Qendrën e Kulturës, “Hasan Prishtina”, shpalosëm punët të cilat janë kryer që nga koha kur kemi marrë mandatin në krye të komunës, si dhe punët të cilat janë në proces e sipër dhe pritet të përfundohen brenda këtij viti apo vitit të ardhshëm.
I nderuar Nënkryetar, Nuredin Lushtaku,
Të nderuar drejtor e asambleistë,
Të dashur qytetarë,
Së pari me lejoni që t’iu falënderoj për besimin, bashkëpunimin dhe prezencën tuaj sot në këtë takim, në të cilin mirëpresim kërkesat tuaja për financimin e projekteve kapitale që do të përmirësojnë dhe ngritin standardin e jetës suaj.
Që nga marrja e mandatit si Kryetar i komunës së Skenderajt, më përkrahjen tuaj, me nder e përkushtim, kam punuar për të mirën e qytetareve, duke realizuar projekte të shumta në secilin fshat të komunës sonë, me gjithë buxhetin e limituar dhe obligimet financiare të pa kryera që kam trashëguar nga ish qeverisja, ne shumën prej mbi 1.5 milion.
Jam i lumtur që së bashku kemi realizuar shumë projekte në qytet dhe fshatra të komunë sonë, duke përfshirë, projekte në rrugë, trotuar, ujësjellës, kanalizim, ndriçim, kulturë, rini e sport, shëndetësi, arsim, bujqësi etj.
Arsimi:
Në fushën e arsimit po vazhdojmë angazhimin në përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe ngritjen e cilësisë së mësimit e edukimit duke punuar në ndërtimin e renovimin e objekteve të reja shkollore dhe poligoneve sportive në shumë shkolla të komunës sonë.
Kemi ndërtuar e rinovuar shkolla në shumë fshatra e në qytet, kemi ndërtuar e jemi duke ndërtuar salla sportive në shumë shkolla, që nxënësit e komunë sonë të kenë hapësira të duhura për mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Gjatë mandatit është ndërtuar shkolla e re “Dëshmorët e Qyqavicës“, në Qirez, kurse janë duke vazhduar punimet edhe shkollat në Polac, Makermal dhe Qubrel.
Kemi rinovuar shkollat: “Ahmet Delia – Skenderaj”, “ Skender Skenderi – Vajnikë, “Fehmi Rama” – Likoc, “Pavaresia” – Krasaliq, “Malush Ahmeti “ – Rezallë, “Bashkim Sadiku “ – Tushilë, “Faik Dragaj – Leçinë, Abedin Rexha – Turiçec, “Shotë Galica – Runik, “Idriz Barani – Klinë e Epërme, “Ismet Rrahmani – Aqarevë, “ Enver Haliti – Lubovec etj.
Në realizim e sipër janë edhe katër salla sportive për lëndën e Edukatës Fizike, për shkollat: “Shaban Jashari“ – Skenderaj, “Azem Bejta“ – Prekaz i Epërm, “Abedin Rexha“ – Turiçec, si dhe “Anton Çetta“ – Skenderaj, ku punimet në këto salla pritet të përfundohen në këtë vit dhe vlera e këtyre kontratave është mbi 1,200.000.00 euro.
Gjithashtu kemi përkrahur e po përkrahim në vazhdimësi nxënësit e studentët e komunës sonë, ku për çdo vit u kemi shpërndarë bursa studimi rreth 200 nxënësve të komunës sonë.
Shumë shpejtë do të fillojnë të ndërtohen dhe 2 çerdhe për fëmijë, njëra tek Shkolla Fillore “Shaban Jashari” me financim të Komisionit Evropian dhe tjetra tek Shkolla Teknik “Anton Çeta” me bashkëfinancim të Komunës dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.
Shëndetësia:
Një prioritet te veçantë jemi duke i kushtuar shëndetit të qytetarëve te komunës sonë, duke ofruar shërbime cilësore shëndetësore, dhe duke bërë investime infrastrukturore në QKMF, në Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe në Ambulantet e mjekësisë familjare.
Po ashtu kujdes të veçantë po i kushtojmë dhe sigurimit te barnave esenciale falas për banorët e komunës sonë.
Situata pandemike me te cilën jemi ballafaquar që nga tre mujore i pari i këtij vit ka shtru nevojën që të ndihmojmë familjet ne nevojë dhe në këtë aspekt i kemi përkrahur 4 mijë familje nje nevojë për dy here radhazi. Përkrahja për familjet ne nevojë do të vazhdojë edhe ne të ardhmen.
Po ashtu nga viti i ardhshëm për secilën lindje do të japim dhuratë nga 100 euro, kurse për të ri funksionalizuar punën e gjinekologjisë jemi duke bërë përpjekje që të pajisim repartin e gjinekologjisë me mjek.
Shumë shpejt do të instalojmë edhe radhën e pritjes së QKMF në mënyrë që ti evitojmë pritjet e qytetarëve për të marrë shërbime shëndetësore.
Jemi duke përkrahur me ndihma momentale familjet në nevojë dhe pacientët me sëmundje të ndryshme kronike.
Po ashtu, bashkë me donatorë kemi hapur puse për familjet në nevojë, për të siguruar ujë të pijshëm si dhe kemi përkrahur fëmijët jetimë me bursa shkollimi dhe asistencë sociale.
Edhe këtë vit bashkë më me Shoqatën “Jetimat e Ballkanit” do të ndërtojmë 5 shtëpi për familjet në nevojë.
Ashtu si vitin e kaluar edhe këtë vit jemi duke i mbuluar shpenzimet e varrimit për qytetarët e komunës sonë.
Bujqësia:
Prioritet po i japim sektorit të bujqësisë, ku për tri vite kemi shumë fishuar buxhetin për bujqësi, nga 48 mijë sa ishte në vitin 2017 në rreth 400 mijë euro këtë vit bashkë me donatorë. Për tri vitet e qeverisjes sime kemi përkrahur gjithsej 850 fermer me grante të ndryshme si: Bimë mjekuese aromatike, serra, dredhëza, mjedra, boronicë, bashkë me imputet përcjellëse dhe treg të sigurt, përkrahje me shpezë dhe shtazë shtëpiake, bletë, moto kultivatorë me frezë apo kositëse, serra etj.
I tërë ky investim falë bashkëpunimit që kemi me organizatat: KARITAS-i Zviceran, IADK, Islamik Relief Kosova dhe organizatën KATAR.
Të gjithë fermerët të cilët merren me kultivimin e produkteve bujqësore shumë shpejt do të hapet pika grumbulluese në të cilën fermerët do të kenë tregun e sigurt te shitjes. Gjithashtu çdo vit kemi trajnuar rreth 400 bujq nga të gjithë sektorët e bujqësisë.
Infrastrukturë:
Gjatë mandatit janë asfaltuar shumë rrugë të cilat kishin mbetur me dekada të pa trajtuara si: Asfaltimi i rrugëve në qytet, Asfaltimi i rrugëve në fshatrat Likovc, Runik, Klinë-Llaushë, Vitak-Kllodernicë, Prekaz-Gofile, Klinë-Prekaz, Marinë-Kryshevc, Izbicë, Klinë, Kopiliq, Polac, Aqarevë-Plluzhinë etj.
Në realizim e sipër janë edhe këto projekte:
1. Asfaltimi i rrugës Klinë;
2. Ndërtimi i rrugës Suriganë-Pemishtë që përfshinë rrugën Suriganë-Pemishtë dhe fshatrat: Qitak, Padalisht, Leqinë, Terrnovë;
3. Ndertimi i rrugës Kotorr-Qubrel, që përfshinë fshatrat Kotorr, Qubrel, Radishevë;
4. Asfaltimi i rrugës Skenderaj-Vushtrri, që përfshinë fshatrat Krasaliq, Krasmirovc, Kozhicë, Qirez, Baks, Prellovc, Prekaz, Mikushnicë;
5. Asfaltimi i rrugës Runik të Kisha, që përfshin fshatrat Runik-Suriganë, Banjë, Kosterc, Vitak, Kllodernicë;
6. Rregullimi i rrugës Rezallë e re-Rezallë e vjetër;
7. Asfaltimi i rrugës Kuqicë-Ternavc, që përfshin fshatrat Kuqicë, Ternavc, Klinë, Kopiliq, LLaushë,Ticë, Prekaz, Lubovec;
8. Asfaltimi i rrugës Izbicë-faza II, që përfshin fshatrat Turjan,Vajnikë, Aqarevë, Burojë, Kopiliq;
9. Zgjerimi i rrugës Rezallë-Likovc-faza I;
10. Vazhdimi i rrugës 17 Shkurti-faza II;
11. Degëzimi i rrugës “17 shkurti”;
12. Rrugët me segmente në qytet (Rruga e re tek Policia, rruga “Adem Shala”, rruga lagja VI;
13. Rrugët në Bashkësi Lokale, që përfshin fshatrat Rakinicë, Kryshevc, Rezallë, Ticë, Plluzhinë, Murgë, Tushilë;
14. Rruga Skenderaj- lagja VI-Kryshevc etj.
Kemi përuruar përfundimin e projektit të kyçjeve individuale të ujësjellësit dhe kështu kemi bërë me ujë të pijshëm fshatrat: Rakinicë, Rezallë e Re, Kopiliq i Ulët, Turiqec dhe Tushilë, Kopiliq i Epërm, Vajnikë dhe Ozdrim, kurse ne fazën finale janë edhe fshatrat Qubrel dhe Kllodernicë.
Këtë vit falë përkrahjes së qeverisë zvicerane kemi filluar me instalimin e gypit kryesor të ujësjellësit për 10 fshatrat të komunës sonë: Rezallë, Abri e Poshtme, Aqarevë, Likoc, Llaushë, Marinë, Makermal, Murgë, Plluzhinë dhe Ticë.
Për këtë fshatra kemi ndarë buxhetit për vitin e ardhshëm që me përkrahjen edhe të qeverisë të instalojmë dhe kyqjet individuale ne mënyrë që të kemi ujë të pijshëm për këta banorë të këtyre fshatrave.
Sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm për të pasur qëndrueshmëri po bëjmë përpjekje dhe kemi kërkuar nga Qeveria që ti kthej mjetet financiare për projektin e Brusit i cili do të rrisë kapacitet e furnizimit me ujë të pijshëm për komunën tonë.
Pas ardhjes sime në udhëheqje të komunës kam ri-aktualizuar projektin e pendës së Kuqices dhe jemi duke kërkuar donatorë e investitor për të realizuar këtë projekt strategjik për komunën tonë i cili do të siguroj ujë të pijshëm 24 orë për banoret e komunës sonë, Drenasit dhe një pjesë të Malishevës.
Kemi zgjidhur problemin e ujërave të zeza në qytet dhe në fshatra kurse po vazhdojnë punimet në ndërtimin e rrjetit të kanalizimit edhe në këto fshatra: Llaushë, Prekaz-Mikushnicë, Lubavec, Kllodernicë-Vitak, Qirez, Baks, Prellovc, Krasaliq, Kozhicë, Krasmirovc, Polac, Rezallë, Klinë e Epërme, Klinë e Mesme, Klinë e Poshtme, Kuqicë, Qitak-Padalishtë, Likovc, Kryshevc, Ternavc, Qubrel, Rakinicë, Vitak-Qubrel, Turiqevc,Kopiliq, Plluzhinë etj.
Me buxhetin e vitit të ardhshëm, për të pasur funksionim të mirë të rrjetit të kanalizimit do të ndërtojmë gropat septike të cilat do të mbrojnë ambientin dhe kulturat bujqësore të fermerëve tonë.
Kemi ndërtuar trotuare në Burojë-Turiqevv, Runik kurse kanë filluar punimet në Prekaz dhe Qirez. Po ashtu këtë vit fillon edhe projekti lled i ndriçimit në qytet (rrugët lagje 6,rruga “Rasim Kiqina”,rruga e re nga parku tek policia, rruget lagja tek tregu(objektet e socialit),ndriçimi tek parku “Idriz Rreci”, tek shkolla “Shaban Jashari” etj.
Mjedis dhe Shërbime Publike:
Një fokus të veçantë e kemi ndaj mjedisit dhe mbrojtjes së tij duke eliminuar deponitë ilegale të mbeturinave dhe duke furnizuar ekonomitë familjare me kontejnerë për mbeturina, proces ky i cili do të vazhdojë deri në fund të vitit. Shtrirjen e grumbullimit të mbeturinave nga 22% sa ishte në fillim të mandatit e kemi arritur mbi 66% e që deri në fund të mandatit do të mbulohen të gjitha fshatrat.
Si çdo vit tjetër edhe sivjet është duke u pastruar shtrati i Lumit Klina në zonën urbane kurse sa i përket ndotjes së lumit Klina kemi shqiptuar gjoba për ndotësit.
Po mirëmbajmë zonat e gjelberta dhe po krijojmë zona të reja të gjelberta për qytetarët e zonës urbane të qytetit.
Edhe sot para jush shfrytëzoj rastin që të bëjë thirrje që të kujdeseni së bashku për mjedisin dhe të mos hedhim mbeturina jashtë vendeve të caktuara.
Kemi përuruar përfundimin e projektit të zgjerimit të sheshit “Adem Jashari” dhe kemi gjelbëruar qytetin me fidane dhe lule sezonale.
Javë me parë ka filluar edhe projekti i rehabilitimit të pjesës së vjetër të sheshit, për të bërë atë edhe më madhështor.
Këtë vit fillon dhe ndërtimi i bulevardit në rrugën “Ilaz Kodra”, i cili do të këtë hapësira të gjelbërta, sportive e rekreative.
Për të pasur një menaxhim më të mirë të mbeturinave, në bashkëpunim me GIZ-in gjerman kemi blerë 3 kamionë të grumbullimit të mbeturinave dhe këtë vit do të blejmë edhe makineri tjera.
Gjithashtu po punohet në rregullimin e shtratit të lumit Klinë- Kuqicë, pastrimin e shtratit të lumit Runik- Turiqec, Llaushë dhe lumenjve tjerë që kalojnë në territorin tonë.
Për të rritur sigurinë publike dhe mbrojtjen e mjedisit nga ndotësit kemi filluar vendosjen e kamerave në qytet.
Po vazhdomë me përmirësimin e ofrimit te shërbimeve administrative për qytetaret dhe tani kemi funksionalizuar e E-kioskun, ku qytetarët po vetë shërbehen me certifikata të ndryshme shpejtë dhe lehtë.
Fuqizim i inspektoratit:
Gjatë udhëheqjes sime kemi rritur efikasitetin e zbatimit të ligjit përmes fuqizimit të inspektorati, duke ndërmarrë aksione për lirimin e hapësirave publik për tu krijuar qytetarëve qasje në këto hapësira si dhe aplikimin e gjobave mandatore për ndotësit e mjedisit.
Zhvillim Ekonomik dhe Turizëm:
Si komunë jemi bërë po ashtu shenjëzimin e pikave turistike dhe duke hartuar strategjinë e turizmit për të rritur kështu numrin e vizitorëve në qytetin tonë.
Jemi duke ndihmuar të rinjtë me trajnime në ndërmarrësi dhe përkrahje për hapjen e bizneseve të reja.
Jemi duke u angazhuar në sjelljen e investitorëve në komunën tonë dhe tani jemi në fazën e fillimit të investimeve infrastrukturore në parkun e biznesit pasi e kemi kthyer tokën në pronësi të komunës. Kështu do të krijojmë kushte të favorshme për investitor për të hapur vende të reja të punës.
Kur jemi tek pronat gjatë qeverisjes sime po i kthejmë ngadalë nga AKP-ja në pronësi të komunës dhe sipas ligjeve ne fuqi të gjitha ato toka që paraqesin interes publik për qytetarin e komunës sonë.
Për të ndihmuar bizneset komunale dhe OJQ-të kemi marrë vendim për lirimin e bizneseve nga taksa e shfrytëzimit të hapësirave publike dhe do të përkrahim OJQ-të me hapësira të zhvillimit të aktiviteteve të tyre pa pagesë.
Kulturë, Rini, Sport:
Jemi në vazhdim e sipër të ndërtimit të poligonit multifunksional në Skenderaj, i cili përveç fushave sportive do të këtë dhe vend parkingje të mjaftueshme për vetura.
Kemi përfunduar fushën e sportit në Runik dhe kemi nisur procedurat për përfundimin e punimeve të palestrës sportive me qytet.
Po ashtu jemi në fazën finale të ndërtimit të poligoneve sportive në Prekaz, Leqinë, Turiqec, Rezallë dhe Ticë. Për vitin e ardhshëm do të fillojmë ndërtimin e poligoneve sportive në bashkësitë tjera lokale.
Po ashtu kemi përkrahur ekipet sportive me mjete buxhetore në këtë kohë pandemie në vlerë totale prej 40 mijë euro.
Kemi përkrahur OJQ-të lokale dhe tani kemi shpallur thirrjen publike për financimin e projekteve në Sport.
Po punojmë në pasurimin e bibliotekës së qytetit në Skenderaj dhe në bashkësi lokale me rafta dhe libra ne mënyrë që të krijojmë kushte të favorshme të leximit për të rinjtë e komunës sonë.
Jemi duke punuar po ashtu në ruajtjen e vlerave tona historike e kulturore, duke ndërtuar e rinovuar kulla të heronjve tonë si kullën e Shaban Mangjollit, Lapidarin e heroit Naser Kodra, Renovimin e shtabit të UÇK-së në Likoc, Lapidarin për heronjtë e kombit në Plluzhinë, etj.
Këtë vit fillon edhe ndërtimi i Akademisë Ushtarake të UÇK-së në Aqarevë, dhe kemi kërkuar nga Qeveria ndërtimin e kullës së dajës Osman Geci.
Angazhimi ynë në realizimin e projekteve kapitale në komunën tonë do të vazhdojë dhe në vitin 2021 përmes buxhetit tonë komunal, të cilin do të prezantojë drejtori i financave , Kastriot Gashi.
Udhëheqjen e komunës sonë, realizimin e premtimeve të mia për punë me duar të pastra, transparencë dhe llogaridhënie do ta vazhdojë me nder e përkushtim në shërbim të vendit tonë për të cilin sakrifikuan gjenerata te tëra.
Duke ju falënderuar për besimin dhe bashkëpunimin e mirëfilltë mbetem i hapur për pyetje, komente dhe kërkesat tuaja.
Ju Faleminderit!