Katër persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur rreth orës 18:25 në Sllatinë, në magjistalen Prishtinë – Pejë.
Dyshohet se një kamionetë ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur pasi u godit nga një veturë.
Kështu tha për Klankosova.tv zëdhënësi i Policisë Daut Hoxha.
“Dyshohet se një automjet si pasojë e mosmbajtjes së distancës e ka goditur një kamionetë e cila ka dal nga rruga dhe është rrokullisur. Katër persona kanë marrë lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Njësitet kompetente policore për menaxhim dhe kontroll në autostradë janë marrë me rastin dhe procedurat e mëtejme ligjore”.
Hoxha kërkoi nga drejtuesit e automjeteve që të jenë më të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat në trafik.