Sllovakia pezulloi përdorimin e vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit, pasi një person i vaksinuar me këtë vaksinë, vdiq nga mpiksja e gjakut.
Ministria e Shëndetësisë tha se vetëm njerëzit e vaksinuar me dozën e parë, do të marrin dozën e dytë të AstraZeneca-s.
Ministri Vladimir Lengvarsky paralajmëroi javën e kaluar se Sllovakia do ta rishikojë strategjinë e vaksinimit, pas mpiksjes fatale të gjakut te një person që u vaksinua me AstraZeneca.
Disa vende të Bashkimit Evropian e kanë kufizuar përdorimin e AstraZeneca-s vetëm te njerëzit më të moshuar, pas konfirmimit se ekziston një lidhje midis vaksinës dhe mpiksjes shumë të rrallë të gjakut te disa njerëz, kryesisht më të rinj.
Gjermania, javën e kaluar, i ka hequr kufizimet ndaj vaksinës AstraZeneca, e cila për disa javë u është rekomanduar vetëm personave mbi 60 vjeç.
Danimarka e ka pezulluar AstraZeneca-n plotësisht, ndërsa ekspertët në Britani kanë rekomanduar që njerëzve nën 40 vjeç t’u jepet një vaksinë alternativë.