Skuadra e Premier League-s angleze, Crystal Palace ka njoftuar se do të hetojë abuzimet e mundshme racore nga tifozët e atij klubi, drejtuar lojtarit të Tottenham, Son Heung-min.
Incidenti ndodhi në fund të ndeshjes së xhiros së 35-të të Premierligës angleze, në të cilën Tottenham mposhti si mikpritës me rezultat 1-0 klubin Crystal Palace. Në minutën e 89-të futbollisti i Koresë së Jugut, Son, u largua nga fusha, duke kaluar pranë tribunës ku ndodheshin tifozët mysafirë.
Në atë moment një tifoz i Crystal Palace e ka fyer në mënyrë racore, më saktë me gjeste fyese.
“Ne e dimë që po qarkullojnë videot e asaj ngjarjeje dhe kemi informacione të tjera që kemi marrë për atë ngjarje. Si klub sigurisht që nuk do ta tolerojmë një sjellje të tillë”, thuhet në komunikatën e klubit, ndërsa tifozi kërcënohet me ndalim të hyrjes në stadiume, transmeton Fol Drejt.