Sonda më e fundit e NASA-s zbriti të enjten në planetin Mars pas një udhëtimi që filloi korrikun e kaluar.
Hyrja e sondës “Perseverance” në atmosferën marsiane filloi në 3:55 pasdite dhe kaloi me sukses një proces shtatë minutësh që shkencëtarët thanë se ishte i suksesshëm. Gjatë uljes, NASA nuk kishte aftësi të kontrollonte sondën, por shkencëtarët ishin ne kontakt me të pas uljes dhe morën imazhin e parë nga sonda.
Pjesë e procesit të komplikuar të uljes ishin parashutat, zbritja me shtytje motorike dhe një “vinç qiellor”, i cili e uli sondën në sipërfaqen e Marsit duke përdorur kabllo.
“Unë mund t’ju them se ‘Perseverance’ po funksionon në mënyrë perfekte tani dhe se të gjitha sistemet janë gati për uljen”, tha para uljes Jennifer Trosper, zëvendës menaxhere e projektit të NASA-s për këtë mision, gjatë një konference për shtyp të martën.
‘Perseverance’ zbriti në Kraterin Jezero, i cili besohet të jetë një shtrat i lashtë liqeni. Atje, do të kërkojë shenja të jetës së lashtë.
Terreni rreth vendit të uljes është shkëmbor, duke e bërë uljen të vështirë, por NASA tha se sonda është e përgatitur për këtë sfidë.