Shumica e amerikanëve shprehin përgjithësisht miratim për punën e Presidentit Joe Biden ndërsa ai i afrohet fundit të 100 ditëve të tij të para në detyrë, sipas dy sondazheve të mëdha kombëtare.
Një sondazh i Washington Post-ABC News tregon se 52% e të rriturve i japin Presidentit Biden një vlerësim të favorshëm krahasuar me 42% që nuk e miratojnë. Ndërsa një sondazh i NBC News i jep Presidentit vlerësim të favorshëm në masën 53% kundrejt 39%.
Sondazhi Washington Post-ABC tregon se 90% e demokratëve miratojnë punën e zotit Biden krahasuar me 13% të republikanëve, ndërsa sondazhi i NBC tregon se e miratojnë 90% demokratëve, 61% e të pavarurve dhe vetëm 9% e republikanëve.
Sipas sondazheve, Biden i ka marrë disa prej notave më të larta në trajtimin e pandemisë së koronavirusit. Deri tani janë administruar më shumë se 226 milion vaksina dhe më shumë se 93 milion njerëz janë vaksinuar plotësisht.
Sondazhi Washington Post-ABC thotë se 64% e të rriturve – përfshirë një të tretën e republikanëve e miratojnë trajtimin nga zoti Biden të krizës së koronavirusit.
Sondazhi Washington Post-ABC thotë se presidenti i 46-të i vendit merr një vlerësim prej 52% në trajtimin e ekonomisë, ndërsa 53% nuk e miratojnë mënyrën se si ka trajtuar çështjen e mijëra migrantëve nga Amerika Qendrore dhe Meksika që janë përpjekur të kalojnë në Shtetet e Bashkuara.