Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka dhënë detaje rreth kthimit të shtetasve kosovarë të ngujuar jashtë vendit. Abdixhiku ka njoftuar se sot në orën 17:00 do të kthehen në Kosovë 120 qytetarë nga Turqia, derisa ka dhënë detaje edhe për fluturimet e tjera të planifikuara për këtë javë, raporton Express.
Në një konferencë drejtuar mediave, Abdixhiku ka thënë se gjatë kësaj jave do të kthehen edhe 50 qytetarë nga Gjermania të cilët kanë nevoja emergjente, 16 studentë të ngujuar në Çeki e Poloni dhe një punëtor kosovar i ngujuar në Liberi.
Abdixhiku ka thënë se numri i të kthyerve varet nga numri i vendeve të lira në Qendrën e Studentëve, e cila me vendim të Qeverisë së Kosovës është lëshuar për karantinë.
“Numri i të kthyerve varet nga numri i vendeve të lira në Qendrën e Karantinës. Kam kërkuar nga Kryeministri dhe Qeveria që të shtohen vendet në karantinë. Secili i kthyer i nënshtrohet testeve. U kemi bërë thirrje që të gjithë shtetasve që kanë kushte qëndrimi të mos marrin rrugën për në Kosovë. T’u japim përparësi rasteve emergjente shëndetësore”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka treguar se janë duke planifikuar që të organizojnë edhe një fluturim për kthimin e rreth 100 qytetarëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa ka shtuar se prej 700 të kthyerve, vetëm tre kanë rezultuar pozitivë.
“Nga 700 të vendosur vetëm 3 kanë qenë pozitive dhe nuk ka infektuar asnjë përreth. Jemi duke punuar për kthimin e 100 qytetarëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po shpresojmë që do të realizohet gjatë këtij muaji”, ka thënë ai.