Sot Paneli i Gjykatës së Apelit do të bëjë shpalljen e aktgjykimit në çështjen ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, shkruan Fol Drejt.
Gjithçka do të kuptohet pas orës 14:00.
Pas shpalljes së vendimit të shkallës së parë, ku trupi gjykues i shpalli ata fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, ata paraqitën ankesë në Apel.
Në shkallën e parë ata u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje.
Përndryshe, ata u arrestuan më 25 dhe 26 shtator 2020 në Prishtinë, për t’u transferuar më pas në objektin e paraburgimit të DHSK-së. Më 11 dhjetor 2020, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nikola Giju, konfirmoi aktakuzën kundër dy të akuzuarve./FolDrejt/