Federata e Xhudos e Republikës së Kosovës, nëpërmjet një njoftimi zyrtar ka bërë të ditur se sot do të mbahet ceremonia e certifikimit të grupit të parë të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në xhudo, shkruan Fol Drejt.
Ky është njoftimi i plotë:
Në emër të Federatës së Xhudos së Kosovës ju bëjmë ftesë të përzemërt që të merrni pjesë në Certifikimin e Grupit të parë të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Xhudo, që do të mbahet me datë 07.11.2023, në Qendrën Nacionale të Xhudos, në Pejë, nga ora 13:00. Kjo ngjarje shënon një moment historik të jashtëzakonshëm që mishëron frymën e unitetit, përkushtimit dhe vizionit të përbashkët për rritjen e shtetit tonë.
Të pranishëm në ceremoni do jenë:
Albin Kurti – Kryeministër i Republikës së Kosovës
Hajrullah Çeku – Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Ejup Maqedonci – Ministër i Mbrojtjes
Elbert Krasniqi – Ministër i Administrimit dhe Pushtetit Lokal
Agron Kuka – President i Federatës së Xhudos së Kosovës
Driton Kuka – Kryemjeshtër/Trajner i Xhudos
Programi shtetëror “Kosova, shteti i xhudos” është gur themel në zhvillimin dhe forcimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) përmes njohurive dhe aftësive të vlefshme nga sporti i xhudos. Programi ka trajnuar me sukses pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në xhudo, vetëmbrojtje dhe luftë të afërt, me udhëheqjen e kryetrajnerit Driton Kuka dhe xhudistëve elitarë nga Kosova, të cilët tashmë janë zyrtarisht pjesë e FSK-së./FolDrejt/