Sot Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani mbush 40 vjet.
Ajo është lindur dhe rritur në Mitrovicë, ndërsa studioi drejtësi në Prishtinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), për t’u shndërruar në një ndër figurat më të shquara të viteve të fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), si dhe skenës politike kosovare përgjithësisht, shkruan Fol Drejt.
Një ndër detyrat e saj të para si funksionare politike ka qenë pozita e këshilltares për ish presidentin Fatmir Sejdiu.
Po ashtu, Osmani ka mbajtur pozitën e kryetarit të Kuvendit nga shkurti i vitit 2020 deri në mars 2021, si dhe ka shërbyer si ushtruese detyre e presidentit në periudhën nga nëntori 2020 deri në mars 2021, pas dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi. Pas zgjedhjes së saj si presidente, Vjosa Osmani u bë gruaja e dytë që mban këtë pozitë, si dhe është personi i parë që ka shërbyer si ushtrues detyre dhe presidente e Kosovës. Ajo është e martuar dhe ka dy vajza./FolDrejt/